Sipas tij, këto provokime e vënë në pikëpyetje ekzistencën, shtetësinë, identitetin e dinjitetin e Kosovës, pasi siç tha ai, herë pas here ka pasur dokumente të tilla pa një autorësi.
“Herë pas here kemi pasur non-papers të cilat nuk kanë pas një autorësi dhe është provokuar opinioni publik për sa i takon statutit. Po ashtu edhe ky draft nuk ka një autorësi të qartë se kush janë përpiluesit, kush janë ekspertët gjermanë siç u tha në disa media. Fatkeqësia në të gjithë këtë është se jemi shndërruar në një adresë provokimesh, po provokohemi shumë shpesh me tema të cilat janë shumë të ndjeshme. Pra, me ekzistencën, shtetësinë, identitetin dhe me dinjitetin shtetëror po ashtu”, deklaroi Pula në emisionin “Ditari”.
Ndërsa, duke komentuar faktin që vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj iu përgjigj ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim, Pula tha se kur është në pyetje dialogu Kosovë – Serbi nuk do duhej të kishte ndarje mes pushtetit e opozitës.
“I gjithë spektri parlamentar në këtë rast, do të duhej ta konsideronin si një temë shtetërore dhe me interes vital. Bisedat, diskutimet e argumentet mund të bëhen edhe në Kuvendin e Kosovës, por asgjë të keqe nuk ka të bëhen edhe në zyrën e kryeministri Kurti. Për tema shtetërore nuk duhet të ketë ndasi, të mos ketë dallime, qofshin ato partiake apo çfarë do tjetër. Kur është në pyetje raporti Kosovë-Serbi nuk do të duhej të kishte ndasi. Kur është në pyetje mbrojtja e subjektivitetit shtetëror, do të duhet të ishin një”, tha tutje ai në Tëvë1.
Kujtojmë se ftesën e takimit me krerët opozitarë me ftesë nga kryeministri Albin Kurti, e ka konfirmuar vetëm AAK-ja, teksa PDK dhe LDK nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë për t’i njoftuar liderët e opozitës dhe për të diskutuar me ta për takimin e 18 gushtit në Bruksel dhe detaje rreth dialogut./ Tëvë1.info/