Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Sopi, ka treguar momentin e hyrjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, në qershorin e vitin 1999.
Ai ka thënë se në fundin e bombardimeve të NATO-s ku e panë se çlirimi ishte afër, vendosën të hyjnë në Prishtinë për t’i ruajtur ata qytetarë që kishin mbetur, nga ndonjë masakër e ushtrisë serbe, të cilat siç ka thënë ai ato gjatë tërheqjes bënin masakra ndaj popullatës civile.
“Forcat e UÇK-së, në kuadër të brigadës 153 dhe gueriles BIA ranë dakord që nga frika se forcat serbe gjithnjë gjatë tërheqjes bëjnë masakra të jashtëzakonshme ne duhet tu gjendemi atyre pak njerëzve që kishin mbet në Prishtinë dhe vendosëm që forcat tona ty hyjnë në Prishtinë dhe të marrin masa për mbrojtjen e asaj popullate civile që të mbrohen nga masakrat”, ka thënë Sopi, në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Ai ka thënë se kryeqyteti i Kosovës u kursye prej veprimeve ushtarake nga frika se ushtria serbe do të kryente masakra ndaj popullatës civile.
“Gjatë luftës, Prishtinën e kemi kursyer prej veprimeve ushtarake për arsye të frikës për masakra, sepse sa herë që ushtria serbe është ballafaqua me UÇK-në dhe ka pasur humbje ka marrë hak ndaj popullatës civile”, ka thënë ai.
Sopi i cili është edhe drejtues i degës së OVL UÇK-së në Prishtinë, shpreht i zhgënjyer me përkujdesjen ndaj kategorive të luftës.
“Nuk është bërë mjaftë për kategoritë e luftës. Turp t’i jepet veteranit të luftë 170 euro e t’i thuhet nuk guxon me punu. Në qoftë se po ja jep për meritë të luftës, lejo me punu jo me bë të varur me 170 euro. Invalidëve u është ndërpre ndërrimi i protezave, është turp kjo me ndodhë”, ka thënë ai.