Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Vjosa Osmani është përjashtuar nga mundësia për një mandat të dytë si presidente e vendit.
Tahiri i bëri këto komente duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Albin Kurti pas takimit që ai zhvilloi të hënën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Sipas Tahirit, Kurti ishte shumë decidiv në deklarimin e tij, duke lënë pak hapësirë për interpretime sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
“Unë po e shoh të përjashtuar në bazë të një qëndrimi të kryeministrit të vendit. Ai ishte decidiv se nuk mund të ketë marrëveshje mes dy partive për president, sepse nuk ka numra, dhe tha se presidenti i ardhshëm do të burojë nga këto tri parti. Diçka tjetër që mu duk se po hiqej nga diskursi publik ishte Bordi i Paqes, pasi nuk e përmendi në asnjë moment Osmanin. Unë po e them se pozicioni i një kryeministri të zgjedhur do të duhej të ishte shumë i qartë dhe kur pyetet për Bordin e Paqes të thoshte fillimisht se Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit të vendit për të qenë përfaqësues në Bordin e Paqes, por ai nuk e tha këtë. Pra, dua të them që ndoshta ai nuk e ka thënë këtë sepse ka problem me suksesin e presidentes”, ka deklaruar Tahiri në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e presidentit të vendit.
Pas takimit, Kurti deklaroi se as partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, as LDK-ja dhe as PDK-ja nuk kanë kandidat për president.
Ai theksoi se LVV-ja nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë emër, duke shtuar se edhe në rastin më të mirë mund të sigurohen vetëm 66 vota, 14 më pak se 80 sa kërkohen për zgjedhjen e presidentit.
Kurti u shpreh se, ndonëse me votat aktuale mund të sigurohen nënshkrime për dy kandidatë, nxjerrja e një emri pa konsensus më të gjerë do të ishte e dëmshme.
Ai theksoi se synimi duhet të jetë sigurimi i 85 votave, në mënyrë që procesi të mos rrezikohet nga mungesa eventuale e ndonjë deputeti.
Nga ana tjetër, Abdixhiku deklaroi se për zgjedhjen e presidentit nevojitet konsensus politik dhe marrëveshje mes partive, duke bërë të ditur se në takim nuk është diskutuar për ndonjë emër konkret dhe se pritet një takim tjetër në ditët në vijim./teve1.info/




