Ditën e hënë nuk e filluan si zakonisht, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” dolën për të protestuar para objektit të komunës së Prishtinës.
Borxhi që ka komuna ndaj kompanisë, punëtorët thonë po ua rrezikon atyre vendin e punës.
E krejt kjo, sipas tyre po ndodhë për shkak se kryetari Përparim Rama e ka synim privatizimin e këtij shërbimi.
“Arsyeja e protestës është që i ka blloku mjetet edhe po do me na e hup vendin e punës krejt punëtorëve, po do me privatizua. Kërkesa jonë është me ekzistuar firma qysh u kanë me i lëshuar mjetet e firmës se ai është kundër drejtorit le të merren ata me drejtorin. Le të sjell cilido drejtor ne nuk na intereson drejtori ne na intereson puna jonë qysh e kemi mbajt”, është shprehur njëri nga puntorët e kompanisë “Pastrimi”.
Të lodhur e të nervozuar me situatën e krijuar, janë edhe punëtorë të tjerë të “Pastrimit.
“Leni bre një herë se boll keni vjedh me miliona, boll i keni ato miliona, nginu një herë bre, mos na korruptoni edhe neve klasën punëtorë, mos na qitni aq poshtë klasën punëtore se jemi lodh nga këto gjëra’, ëhshtë shprehur Hajdini punëtori i “Pastrimit”.
“Kam babën e sëmurë, vëllanë e sëmurë nuk është në rregull kjo punë. Duhet me bo zgjidhje se këta janë hajna janë të korruptuar këta”, tha edhe punëtori tjetër.
“Pasha zotin , në gjendje jem me kall, kemi me kall bindu çka po them, kemi me kall për gjalli se me lujt me fëmijë të mijë jo, e me asnjë fëmijë të asnjërit s’ka me lujt”, është shprehur Ilaz Rexhepi punëtori i “Pastrimit’
Megjithatë, gjatë pasdites, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, tha se ia bënë një ofertë kompanisë “Pastrimi”.
“Ne e shprehëm gatishmërinë tonë që qysh sot me një person ta autorizuar me ndërmarrjen “Pastrimi” të nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milion euro për punët shtesë. Ne u dakortuam që nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja “ Pastrimi”, që ata të kenë mundësi të dalin dhe të operojnë që të kryejnë shërbimin të kenë 1/3 e regjionit të Prishtinës, sepse tani vetëm se i kemi te kontraktuar dy operatorë ekonomik”, ka thënë Brestovci.
Kurse nga sindikata e punëtorëve i bëjnë thirrje organeve të drejtësisë të merren më këtë çështje.
“I bëj thirrje a ka ndonjë ligj ndonjë prokurorë e merr këtë çështje letrat janë, me marr me zgjidh këtë çështje me këqyr a na takon neve me na i qit parët me dal në punë. Unë po e përsëri po lypim tri gjëra : naftë, paga dhe kamion”, ka thënë Qosaj.
Për situatën e krijuar me mbeturina në kryeqytet ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike duke thënë se mungesa e menaxhimit të duhur të mbeturinave ndikon negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve.