Qytetarët e rajonit të Prishtinës së shpejti mund të paguajnë faturat e mbeturinave me çmim të rritur. Aktualisht, faturimi për largimin e mbeturinave është tarifë fikse prej 4.7 eurosh. Nga Kompania Rajonale e Mbeturianve “Pastrimi” thonë se janë rritur ndjeshëm kostot e operimit prandaj shtrenjtimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm. Po ashtu, thonë se mund të rishikohen edhe pagat e punëtorëve. Kundër këtij propozimi janë qytetarët të cilët thonë se jeta e tyre është vështirësuar tej mase.
Zëdhënësja e “Pastrimit”, Arbnore Ademi, deklaroi se janë kompani me vetëfinancim prandaj i duhet që të rrisin çmimet për të përballuar shpenzimet.
“Kompania ‘Pastrimi’ për kryerjen e shërbimit të pastrimit për largimin e mbeturinave ka kosto shumë të lartë dhe duke e ditur faktin që jemi ndërmarrje me vetëfinancim nënkupton që të gjitha të ardhurat i sigurojmë ne përmes pagesave të qytetarëve dhe njëkohësisht në tjetrën anë në çdo produkt ka rritje të çmimit, ka inflacion dukshëm në vendin tonë, pastaj rritja e derivateve, rritja e pjesëve për kamionë rezervë dhe çdo produkti tjetër ka rritje. Në anën tjetër pagat e punëtorëve nuk kanë lëvizur dhe faturat e mbeturinave mbetet e njejtë dhe duke u nisur nga këto fakte të përmendura ne sigurisht që e kemi parë të nevojshme që të bëhet kërkesa për rritje të faturave. Këtu do të hynte edhe rritja e pagave për punëtorët pasi që të gjithë janë mbajtës së familjeve dhe dihet që shpenzimet për secilin qytetarë janë të mëdha në këto kohë”, u shpreh Ademi.
Vendimi për rritjen e çmimit të faturës së mbeturinave duhet të marrë miratimin e Kuvendeve Komunale të komunave të rajonit të Prishtinës të cilat i mbulon “Pastrimi”.
Mirëpo, Ademi thotë se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare, megjithëse shton se propozimi është që të bëhet një rritje simbolike, pa e specifikuar atë.
“Ne si kompani kemi bërë kërkesë, mirëpo mbetet nga konfirmimi dhe jemi në pritje që kur do të kemi zyrtarisht një përgjigje nga ana e kuvendeve komunale… Ne kemi vlerësuar që në bazë të analizës të kostove dhe shpenzimeve kemi bërë vlerësimin për rritje të faturës që do ta përballonte secili klient. Nuk është rritje enorme por është një rritje simbolike shumë e vogël që ne kemi kërkuar”, shtoi ajo.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilir Musliu, i tha KosovaPress-it se çfarëdo vendimi për ndryshim të tarifave të faturës së mbeturinave do të bëhet vetëm pasi të bëhet një analizë financiare.
Mirëpo qytetarët janë kundër rritjes së çmimit të faturës së mbeturinave.
Ismet Hulaj, një prej tyre, tha se me rritjen e çmimeve po rëndohet jeta e tyre.
“Për kushtet të cilat ekziston Kosova, çfarë kanë të ardhura popullata e Kosovës, nuk duhet të rriten. Përndryshe veç sa ngarkojnë dhe e dëmtojnë standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Hulaj.
Edhe Vesel Veseli tha se nuk mund të ketë rritje të faturave pa pasur rritje të të ardhurave.
“Ky vendim është i rëndë për shumicën e familjeve tona, duke ia ditur buxhetin familjarëve. Që të mundemi t’i përballojmë këto duhet të ngrihen të ardhurat personale të atyreve që punojnë dhe pensionet e atyre që janë në pension dhe ndihmat sociale për të mundur popullata t’i përballojë këtyre shtrejtimeve… Është i papërballueshëm për shumicën e familjeve tona. E dimë se cfarë gjendje sociale janë… Pa i krijuar kushtet, t’i ngritin bazat personale, pensionet, ndihmat sociale, t’jua përmirësojnë buxhetin familjeve, dhe t’i ngarkojnë kjo më duket e tepërt”, tha Veseli.
Qytetari Haxhi Sadiku tha se rritja e faturave të mbeturinave është e papërballueshme për ta.
“Mjaftë janë rritur, dhe sa dëshirojnë të rriten… Unë po e shoh shumë keq sepse faturat po rriten e të ardhurat nuk po rriten fare, sidomos është keq për pensionerët… Shumë e papërballueshme është dhe shumë keq. Rritu rryma, rritu mbeturinat, uji, tatimi, katastrofë… Fajet, kush mundet t’i ketë përveç qeverisë. Unë dhe ti nuk i kemi fajet por qeveria”, theksoi Sadiku