Akuzat për dhjetëra dërgesa me narkotikë përgjatë periudhës prill maj qershor 2019, Bashkim Kolshin e sollën sërish në gjykatore.
Në gjykimin për kontrabandim të 180 kg kokainë dhe shpëlarje parash, u dëgjua një ekspert financiar i angazhuar nga mbrojtja.
Ai deklaroi se Kolshi kishte pasur të hyra bruto prej 536 mijë euro përgjatë 15 viteve, shifra të cilat eksperti Avni Zejnullahu tha se i ka nxjerrë në bazë të pasqyrave financiare dhe trustit pensional në Gjermani.
“Në bazë të hyrave kam deklaruar në këtë ekspertizë se ka një bazë të mirë për kursime. Të kesh për 15 vjet një pagë 536 mijë euro, domethënë se është një bazë e mirë për një kursim”, tha eksperti financiar Avni Zejnullahu.
Me ekspertizën e ekspertit Zejnullahu, nuk doli e kënaqur Prokuroria Speciale.
“Ne kemi një sërë vërejtjesh në këtë ekspertizë. Për shkak se në këtë ekspertizë financiare, ky ekspert i ka marrrë për bazë si të pakontestueshme deklaratat e disa dëshmitarëve që janë dëgjuar në këtë shqyrtim gjyqësor, që pretendojnë se i kanë huazuar para të akuzuarit”, deklaroi Kastrio Memaj nga Prokuroria Speciale.
Në anën tjetër, mbrojtja e Kolshit ngriti shqetësimin se ai për çështjen e njëjtë është duke u gjykuar në dy shtete të ndryshme.
“Sigurisht prokurori nga supozimi im, nuk e ka pa se komplet lëndën që e ka dorëzuar prokuroria speciale e ka jashtë bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, se s’ka as kërkesë për bartje të lëndës nga Danimarka në Kosovë…..Ky proces ligjor është kryekëput i kundërligjshëm. E më duhet t’iu them sot që Bashkim Kolshi i ka dy procese aktive, një në Danimarkë dhe një në Kosovë”, tha avokati i Kolshit, Kujtim Kërveshi.
Ndaj trupit gjykues, prokurori propozoi që të verifikohet nëse Kolshi ka qenë aksionar, në kompani, kontratat e tij të punës, të hyrat e tij në llogari personale e biznesore, përmes bashkëpunim ndërkombëtar me Gjermaninë.
“I propozoj trupit gjykues që të parashtroj një kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar në Gjermani, me qëllim që të sigurohen detajimet për të ardhurat e personale për periudhën 2005-2019, njëjtë sikur ka vlerësuar mbrojtja”, deklari prokurori Memaj.
Për këtë propozim të prokurorit, trupi gjykues mbeti të vendosë jashtë seance.