Brenda një jave, Sigal Prishtina ka zyrtarizuar largimin e dy basketbollistëve amerikan, të cilët i ka falënderuar për angazhimin.
Pas Elijah Clarence që u largua javën e shkuar, pjesë e Sigal Prishtinës nuk është as amerikani Deondre Burns, i cili këtë sezon ishte prej lojtarëve kryesor të ekipit.
Të martën, Prishtina me anë të një postimi të shkurtër ka bërë të ditur se Burns nuk është më pjesë e ekipit dhe e ka falënderuar me fjalët “Thank you Burns”.
“Klubi ynë dhe lojtari Deondre Burns e kanë vendosur, me marrëveshje të përbashkët, të ndajnë rrugët. Falënderojmë Burns për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë angazhimit të tij me fanellën bardhekaltër dhe i urojmë suksese në vazhdim të karrierës”, ka shkruar Prishtina.
Burns në Superligën e Kosovës në basketboll, ka luajtur me një mesatare prej 18 pikëve, 3 kërcimeve dhe 4 asistimeve për ndeshje.
Aktualisht, Prishtina zë vendin e gjashtë në tabelë me 37 pikë kur ka mbetur edhe një xhiro deri në përfundim të stinorit të rregullt.







