Ndonëse ishte në epërsi nga minuta e parë e deri në minutën e 39-të, Sigal Prishtina është mposhtur të martën mbrëma nga Dinamo e Zagrebit.
Në kuadër të ligës ndërkombëtare, ENBL, Prishtina humbi nga Dinamo me rezultatin 82:80. 58 sekonda para fundit kroatët barazuan në 80:80. Tre sekonda para fundit ata shënuan për 82:80. Sulmin e fundit, njëjtë si disa sulme rresht të minutave të fundit, Prishtina nuk e realizoi.
Për Prishtinën ishte humbja e parë në ENBL pas tri fitoreve rresht. Dinamo e shënoi fitoren e dytë nga po aq ndeshje të luajtura.
Prishtinasit kanë kontrolluar gjithë ndeshjen dhe kanë mbajtur tërë kohën epërsi bindëse. Pas çerekut të parë rezultati ishte 27:17, pas të dytit 47:38, pas të tretit 69:56, por në fund më shumë pikë kishin mysafirët.
Adrio Bailey u dallua te Prishtina me 29 pikëe gjashtë kërcime.









