Ka katër ditë që ka filluar procesi mësimor, e më shumë se dy javë që është hapur thirrja për subvencionimin e teksteve shkollore.
Por, alokimi i të hollave në xhirollogaritë e prindërve ende nuk është bërë për të gjithë.
E kjo po i shqetëson vetë nxënësit, duke kërkuar që mjetet të transferohen sa më shpejtë.
“Kemi aplikuar, por ende nuk i kanë vendos mjetet. Me i qitë paret për libra së më shpejtë. Mësoni sa të mundeni mos e lëni shkollën se ju vyejnë”, shprehet një nxënës.
I mllefosur për mosmarrjen e subvencionimit prej 80 euro nga MASHTI është edhe Besnik Bytyqi.
Bytyqi, i cili ka tre fëmijë, thotë se fëmijët e tij janë duke shkuar në shkollë tash e 4 ditë vetëm me fletore.
“Moti kam aplikuar që kur është hapur aplikimi, hale paret nuk kanë dalë. Veç me fletore tre fëmijë i kam në shkollë. S’ka Ministri këtu tek ne, këta janë tmerr, e tash kemi mbet kështu deri kur shkon”, thotë ai.
Të njëjtin hall ka edhe Agim Mazdreku.
“Kemi aplikuar, unë vet nuk di të aplikojë se nuk kam shkollë, jam shkuar të Bashkimi në Komunë më ka ndihmuar kam aplikuar tash po pres me mi vendos parët për libra të fëmijëve. Me u kthy më mirë qashtu qysh ka qenë se mos me kanë edhe këta ne nuk dimë ka me ia majtë se unë për vete as emër e as mbiemër nuk di me shkru, jam shkuar atje këta mi kanë plotësuar dokumentet tash vetëm po pres me i marr të hollat për libra”, thotë ai.
E në ndihmë këtij dhe shumë të tjerëve u doli Ardian Krasniqi, aktivisti i komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në lagjet e Fushë Kosovës.
“Nga dita e parë kemi bërë thirrje që prindërit që kanë vështirësi për të aplikuar të vijnë te zyra e nënkryetarit të komunitete pranë komunës së Fushë Kosovës, njëkohësisht edhe pranë zyrës së kryesuesit të asamblesë komunale. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë dhe gatishmërinë që të asistojmë për krejt familjet të cilat kanë vështirësi gjatë aplikimit. Ne e kemi krijuar një ekip punës në zyre ku kemi asistuar mbi 200 fëmijë deri më tani, por pasi që është ende e hapur thirrja për aplikim ne jemi duke asistuar ende”, shprehet Krasniqi.
Krasniqi tregoi se kanë pranuar ankesa nga prindërit për mjetet se nuk po u mjaftojnë.
“Ne kemi qasje direkte me prindër dhe familje të komuniteteve, ankesa ka pasur sepse ka familje që nuk u kanë dalë mjetet ende në xhirollogaritë e tyre edh qysh e dimë që nga 1 shtatori ka filluar procesi mësimor. Kështu që si praktikë unë personalisht dhe komunitete nuk e preferojmë, praktika më e mirë ka qenë kur fëmijët me datën 1 shtator janë pajisur nga shkolla me librat, për arsye se kjo mënyrë po krijojë vështirësi edhe për prindërit. Ankesa kryesore është që mjetet të cilat po dalin në xhirollogaritë e tyre nuk janë të mjaftueshme për asnjë nivel”, thotë ai.
Nga MASHTI kanë njoftuar se do të ndahen nga 80 € për nxënësit nga klasa i deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, dhe 80 € për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.