Në fjalimin në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden kritikoi kompanitë e kryesore të naftës që po nxjerrin fitime të mëdha, ndërsa amerikanët, të lodhur nga inflacioni, po paguajnë shuma të konsiderueshme për të furnizuar makinat e tyre.
Industria e naftës “nuk e ka përmbushur zotimin e saj për të investuar në Amerikë dhe për të mbështetur popullin amerikan”, tha ai. Ata nuk po nxjerrin thjesht fitimet që u takojnë, tha ai, ata po bëjnë “fitime aq të larta sa është e vështirë të besohet,” tha Presidenti Biden.
“Fitimet e tyre janë një përfitim i papritur i luftës”, tha ai, duke iu referuar konfliktit që po shkatërron Ukrainën dhe duke shtuar se ata kanë përgjegjësinë për të vepruar.
“Unë mendoj se është revoltuese”, tha ai. Nëse do t’i kalonin ato fitime te konsumatorët, çmimet e benzinës do të uleshin me rreth 50 centë, tha presidenti.
“Nëse nuk e bëjnë, ata do të paguajnë një taksë më të lartë mbi fitimet e tyre të tepërta dhe do të përballen me kufizime të tjera”, tha ai. Shtëpia e Bardhë do të punojë me Kongresin për të shqyrtuar këto opsione dhe të tjera. “Është koha që këto kompani të ndalin përfitimin nga lufta”.
Presidenti Biden tha se kompanitë e naftës dhe gazit duhet të investojnë fitimet e tyre për uljen e kostove për amerikanët dhe rritjen e prodhimit dhe se nëse nuk e bëjnë këtë, ai do t’i kërkojë Kongresit të shqyrtojë mundësinë e detyrimit të kompanive të naftës që të paguajnë gjoba tatimore dhe të përballen me kufizime të tjera.
Presidenti e mbajti fjalimin vetëm një javë përpara se amerikanët të vendosin nëse demokratët e partisë së tij do të vazhdojnë të kenë kontrollin e Kongresit. Republikanët duket se janë favoritët për të marrë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa për Senatin nuk është e qartë.
Gjigantët globalë të energjisë, përfshirë kompanitë Exxon Mobil Corp. dhe Chevron Corp., publikuan një tjetër raund fitimesh të mëdha tremujore, duke përfituar nga rritja e çmimeve të gazit natyror dhe karburantit që kanë nxitur inflacionin në mbarë botën dhe kanë shkaktuar thirrje të reja për taksimin e mëtejshëm të këtij sektorit./voa