Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të enjten, i akuzuari Visar Hajredini ka pranuar fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Hajredini e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë e pranoj fajësinë, për arsye se nuk kam qenë i informuar mirë dhe sinqerisht ju kërkoj falje sepse kam qenë vetëm një ditë në trajnim, dhe nuk do të ndodhin më këto gabime kurrë dhe nuk do të marr pjesë asnjëherë më në ato procese”, tha i akuzuari Hajredini.
Prokurori Rexha propozoi që gjykata t’ia aprovojë pranimin e fajësisë të pandehurit, me arsyetimin se është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe në konsultim me mbrojtësin e tij, duke u mbështetur në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Ndërsa, mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Hajredini, avokati Veton Uka, propozoi që gjykata ta aprovojë pranimin e fajësisë. Ai tha se pas konsultimeve me të, Hajredini ka pranuar fajësinë, duke i ditur edhe pasojat e pranimit të fajësisë.
Ai propozoi që me rastin e shqiptimit të dënimit, gjykata të marrë për bazë të gjitha benefitet që ka pranimi i fajësisë. Si rrethana lehtësuese, kërkoi të merret fakti që i mbrojturi i tij asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, është mbajtës i familjes, si dhe koha e gjatë nga kryerja e veprës penale deri tani.
Avokati Uka kërkoi që gjykata t’i shqiptojë të mbrojturit të tij një denim sa më të butë, mundësisht dënim të kushtëzuar.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Hajredini, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 24 nëntor.
Ndryshe, në fillim të seancës, prokurori Rexha bëri precizimin e aktakuzës, ku në vend të nenit 216 do të jetë neni 219, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës (Kodit në fuqi nga viti 2013 deri më 2019).
Sipas aktakuzës së ngritur në gusht të 2023-ës, Visar Hajredini akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit në qendrën e votimit në shkollën fillore të fshatit Stanoc i Epërm, në Vushtrri, ka shtuar dhe fshirë votat, të cilat nuk i përgjigjen rezultateve të vërteta. Aktakuza thotë se i akuzuari, me rastin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik, ka larguar votat e disa kandidatëve, ndërsa ua ka shtuar disa kandidatëve të tjerë.
Aty thuhet se nga 51 vota gjithsej, të shtuara ishin 24 vota dhe të larguara 27 vota. Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219, par.2 lidhur të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej tre deri në pesë vite burgim. /BetimipërDrejtësi