Portieri i Kosovës, Aro Muriq, u shpall lojtari i ndeshjes në fitoren historike 1:0 ndaj Suedisë në eliminatoret për Botërorin 2026.
Muri i Kosovës, Aro Muriq u vlerësua me notën 8.2. Ai regjistroi katër pritje. Tri nga zona e rrezikshme. Por Muriq do të jetë mungesë e madhe në ndeshjen me Slloveninë muajin e ardhshëm. Ai do të mungojë për shkak të kartonëve të verdhë.
Pas tij, sipas këtij vlerësimi, notën më të mirë te Kosova e mori sulmuesi Fisnik Asllani që e realizoi golin e fitores. Ai u vlerësua me notën 7.5.
E qendërmbrojtësi Kreshnik Hajrizi u vlerësua me 7.4. Bashkë me Albian Hajdarin (7.2) dhe Ilir Krasniqi “mbajtën në xhep” dy superyjet e Suedisë – Alexander Isak dhe Viktor Gyokeres që u vlerësuan me 7.2 dhe 6.8 respektivisht
Sipas uebfaqes “sofascore”, mesatarja e vlerësimit te Kosova ka qenë 7.03 ndërsa te Suedia 7.01.
Me fitoren 1:0 në Suedi, Kosova është e dyta e Grupit B me shtatë pikë nga katër ndeshje. Zvicra i prin grupit me 10 pikë. Sllovenia është e treta me tri dhe Suedia e fundit me vetëm një.
Në ndeshjen e ardhshme në nëntor, një barazim në Slloveni do të nënkuptonte sigurimin e të paktën fazës së plejofit për kualifikim në Botëror.