Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi/Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor në të gjitha komunat e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia e Kosovës realizoi një varg aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi.
Në mesin e tyre përfshiheshin shfaqja e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarja e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e vetëdijes së qytetarëve për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Njësitë e Policimit në Bashkësi zhvilluan takime me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, duke vendosur theks të veçantë te parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe rëndësia e bashkëpunimit komunitar.
“Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi institucional, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale për fushatën kundër dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.
Aktiviteti u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa Policia e Kosovës theksoi se angazhimi për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore vazhdon çdo ditë, shumë përtej periudhës 16-ditore të fushatës.
“Inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast dhune, duke telefonuar numrin 192, linjën e veçantë 0800 19999, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Zëri juaj shpëton jetë.Policia e Kosovës – Për një shoqëri, të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, thuhet në fund të njoftimit./teve1.info/







