Quhen njehsorë elektrik të mençur.
Por jo gjithmonë tregojnë orën e saktë.
E kjo, pastaj çon në matje tjetër të konsumit të energjisë elektrike, duke pasuar ngatërresat me tarifat e lira dhe tarifat e shtrenjta.
Krejt kjo, sipas profesorit Adhurim Haxhimusa, është pasojë e disa faktorëve.
“Kryesisht këta janë njehësor digjital dhe njehësorët digjital e kanë problemin me flutuacionet e ndryshme që vijnë në cilësinë e furnizimit me energji elektrike. Ku me këtë rast, ora e cila matë kohën ajo mund të devijojë. Domethënë këto devijime vijnë kryesisht nga mungesa e cilësisë të sistemit elektro energjetik. Domethënë, rrjeti i vjetër, tensioni varion shumë, edhe si rezultat i kësaj vijnë kryesisht këto devijime. Në anën tjetër, është edhe vjetërsia e baterive, të cilat mundohen me mbajtë orën të saktë. Ato bateri duhet të ndërrohen, mirëpo këto ndërrime duhet të bëhen aq shpesh për më garantu që kjo orë është e saktë”, thotw profesori universitar Adhurim Haxhimusa.
Për zgjidhjen e këtij problemi, kërkohet reagim institucional.
Çdo opsion tjetër, përpos investimeve në rrjetin e distribucionit, sipas Haxhimusës, nuk është zgjidhje e problemit.
“Investime shumë më të mëdha në rrjetin e distribucionit, ashtu që të kemi rrjet stabil me shërbime cilësore të furnizimit me energji elektrike, kjo ndoshta do të ishte edhe zgjidhja. Zgjidhjet afatshkurte janë rikalibrim më i shpeshtë, e cila patjetër se shoqërohet me rritje të kostos operacionale”, shprehet Haxhimusa
Aktualisht nuk ka një reagim të tillë.
Por në lëvizje janë vënë organet hetuese.
“Lidhur me interesimin tuaj, u njoftojmë se me autorizim të Prokurorisë Themelore-Prishtinë, policia ka filluar veprimet fillestare hetimore lidhur me çështjen për të cilën jeni interesuar. Veprimet do koordinohen me Prokurorinë Themelore”, thuhet nga Policia e Kosovws.
Në rast se kjo çështje arrin deri në Gjykatë, vlerësohet se ka hapësirë që qytetarët të kompensohen materialisht.
“Paraqesin një vepër penale të vjedhjes dhe nëse kjo vërtetohet, atëherë do duhej që të hetohet nga ana e Prokurorisë Speciale dhe nëse këto pretendime vërtetohen, atëherë domosdo do duhej që përgjegjësit të vihen para drejtësisë, dhe normalisht në këtë procedurë penale të detyrohen që edhe ndaj qytetarëve/konsumatorëve të bëhet rimbursimi i mjeteve që janë paguar”, shprehet avokati Florim Shefqeti.
Pas raportimeve të shumta për këtë manipulime, nga KEDS insistojnë se njehësorët elektrikë masin saktë konsumin e energjisë elektrike.






