Hetuesit policorë të enjten zhvilluan një aksion në kryeqytet ku zbuluan një laborator droge në një ndërtesë në Prishtinë.
Fillimisht policët ndaluan një automjet, ku gjatë kontrollit gjetën tek i dyshuari substanca narkotike.
Autoritetet e ndaluan burrin e ri, mirëpo i dyshuari tjetër me veturë me të parë policinë braktisi automjetin dhe arriti të ikë.
“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është kontrolluar banesa e njërit të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë konfiskuar provat: pesë qese me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 545.6 gramë, një peshore dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Në banesën e të dyshuarit tjetër janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë: substancë që dyshohet të jetë narkotike- marihuanë me peshë 9.2 gramë, 15 kuti plastike të mbjella me kërpudha narkotike, 179 kavanozë të mbushur me fara në fazën e prodhimit për kërpudha narkotike”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Aksione të suksesshme Policia ka pasur edhe para disa javësh në disa rajone ku janë zbuluar plantacione droge dhe janë arrestuar persona të dyshuar.
Ish-hetuesi policor i anti-drogës, tregon se këta zyrtarë janë të përgatitur profesionalisht për luftimin e kësaj dukurie.
“Kosova tashmë një kohë ka qenë vend transit sa i përket marihuanës, tash ka fillu të kultivohet në Kosovë… Por çka është më shqetësuese, është futja në treg e llojit të drogës kokainë që ka fillu me të madhe të gjindet në treg dhe të përdoret tek moshat e reja edhe pse njihet si një drogë që kushton mjaft shumë”, deklaroi ish-hetuesi i antidrogës, Hilmi Canolli.
Sipas tij, institucionet e sigurisë për luftimin e narkotikëve duhet të kenë një fokus më të madh në vijën kufitare.
“Shkëmbimi i informacioneve të jetë sa më i shpejtë dhe në kohë reale, sepse te narkotikët një informacion nëse nuk mirret me kohë ajo sasia ecë, është problem pastaj ti e ke informacion por nuk mundesh me zënë sasinë e drogës. Në këto raste prova e vetme është droga, duhet një bashkëpunim më i madh, koordinim dhe një trajnim mes këtyre Policive”, Canolli.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të marrë statistika se sa persona janë arrestuar për këtë dukuri, por që nuk ka pasur përgjigje.