Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë zyrtare lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, duke dhënë detaje për ngjarjen dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi më 7 korrik rreth orës 00:12, pasi pranuan gjashtë thirrje nga qytetarët që raportuan për një person me sjellje agresive dhe të rrezikshme, i cili sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Njësitë policore reaguan menjëherë, duke tentuar ta vënë situatën nën kontroll. Sipas Policisë, 27-vjeçarit kishte sjellje të pakontrollueshme dhe bëri rezistencë aktive, për çka zyrtarët policorë përdorën sprej në vetëmbrojtje. Ata po ashtu pretendojnë se komunikuan dhe negociuan me të ndjerin për 5-6 minuta, ndërkohë që mbikëqyrësi i ndërrimit kishte telefonuar ndihmën e shpejtë për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore dhe psikologjike.
Sipas komunikatës, 27-vjeçarit nuk bashkëpunoi dhe tentoi të ikë, por u arrestua nga policia. Autoambulanca mbërriti brenda tre minutave dhe, pas përpjekjes për ndihmën e parë, ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
Policia deklaron se te i ndjeri janë gjetur gjësende personale dhe një substancë e dyshuar narkotike, e cila është dërguar për analizë. Në vendin e ngjarjes dolën njësitë hetimore, prokurori për krime të rënda dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Katër zyrtarë policorë dhe një rreshter janë suspenduar dhe dërguar në mbajtje, pas ri-cilësimit të veprës dhe vendimit të Prokurorit të Shtetit për të iniciuar hetime për këtë rast.
Policia thotë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, duke përfshirë sigurimin e provave materiale, intervistimin e dëshmitarëve dhe ndarjen e pamjeve të kamerave me IPK-në dhe Prokurorinë.
“Sigurojmë qytetarët se jemi në bashkëpunim të plotë me institucionet për zbardhjen e plotë të rastit. Epilogu do të merret pas hetimeve, ekzaminimeve dhe raportit nga Mjekësia Ligjore,” thuhet në fund të njoftimit.
Rasti ka nxitur reagime të gjera në publik dhe institucione, ndërsa pritet që rezultatet e autopsisë të heqin më shumë dyshime rreth shkaqeve të vdekjes së 27-vjeçarit.