Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një përleshjeje që ka ndodhur në një lokal në rrugën “Ferid Curri” në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur të shtunën, ku disa persona janë përfshirë në konflikt, gjatë të cilit janë përdorur edhe armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, dy meshkuj kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, ndërsa një person i dyshuar është arrestuar. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë në tentativë” dhe po hetohet nga organet kompetente.







