Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Pjetër Shalën.
Sipas zëdhënëses së DhSK-së Angela Griep, vendimi është marrë më 17 maj nga trupi gjykues i cili kishte konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të kryej vepra të tjera penale.
“Më 17 maj, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, duke konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues vendosi gjithashtu se vetëm në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kryhet mbikëqyrja e efektshme e komunikimeve të të akuzuarit”, tha Griep.
Gjatë konferencës për informimin javor të DhSK-së, Griep tha se është konstatuar se ekziston rreziku që Shala mund të bëjë kërcënime andaj edhe masa e paraburgimit për atë vazhdon të jetë e arsyeshme.
“Trupi Gjykues rikujtoi se të gjithë dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria kanë dhënë dëshmi dhe se janë paraqitur prova shtesë të cilat mund të jenë inkriminuese. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues vendosi se ekzistonte rreziku se z. Shala mund t’i realizojë kërcënimet e bëra më parë, veçanërisht duke pasur parasysh atmosferën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Duke qenë se gjykimi po përparon pa vonesa të papërligjura, Trupi Gjykues konstatoi se koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim vazhdon të jetë e arsyeshme”, tha Griep.
Ndërsa, për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Griep tha se janë miratuar redaktime të sugjeruara nga palët në procedurë për transkriptet e versioneve publike për katër dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi vitin e kaluar.
“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 16 maj, Trupi Gjykues miratoi redaktimet e sugjeruara nga Prokuroria, Mbrojtësi i Viktimave dhe Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve për transkriptet e versioneve publike me më pak redaktimeve të katër dëshmitarëve të cilët dhanë dëshmi nga fundi i vitit të kaluar. Trupi Gjykues urdhëroi gjithashtu që disa pjesë shtesë të transkriptit të riklasifikohen si publike. Ky proces është pjesë e rishikimit periodikisht të transkripteve dhe parashtrimeve për të garantuar që proceset të jenë sa më publike”, tha Griep.
Ajo gjithashtu njoftoi edhe për ndryshimin që bëri Prokuroria sa i takon listës së dëshmitarëve, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Pas një urdhri të lëshuar nga Trupi Gjykues më 21 shkurt, Prokuroria dorëzoi një “njoftim për ndryshim të dëshmitarëve” për ta thjeshtuar listën e dëshmitarëve të saj. Sipas parashtrimit, Prokuroria nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e 10 dëshmitarëve dhe do të kërkojë leje për të parashtruar me shkrim dëshmitë e 13 dëshmitarëve, në vend se t’i thërrasë të japin dëshmi në sallë të gjyqit. Prokuroria konfirmoi se do të vazhdojë të rishikojë rregullisht listën e dëshmitarëve dhe bëri me dije se ata do të mund të japin një njoftim për ndryshime shtesë në tetor të këtij viti”, tha Griep.
Griep shtoi se me 22 maj, trupi gjykues ka pranuar në prova deklaratat e pesë dëshmitarëve e po ashtu edhe dy të tjerëve pjesërisht.
“Më 22 maj, Trupi Gjykues pranoi si prova pesë deklarata të dëshmitarëve dhe dy deklarata të dëshmitarëve, pjesërisht. Konkretisht, Trupi Gjykues konstatoi se prova materiale të caktuara që lidhen me dy deklarata nuk janë të përshtatshme për t’u pranuar si prova.”, tha ajo.
Griep njoftoi edhe për dëshmitarët që ka thirrur prokuroria e që kanë dëshmuar gjatë kësaj jave në këtë cështje gjyqësore duke shtuar se dy prej tyre ishin pjesëtarë të KFOR-it
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, të martën më 21 maj, dëshmitari i 63-të i thirrur nga Prokuroria, z. Ditrih Klaus-Jensh (Dietrich Klaus-Jensch) dha dëshmi në gjyq publikisht. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga Prokuroria, z. Klaus-Jensh shërbeu si oficer në KFOR-in gjerman në Prizren gjatë periudhës përkatëse. Më të njëjtën ditë, dëshmitari i 64-t, Johan Rudolf-Friç (Johan Rudolph Fritsch) filloi dhënien e dëshmisë, po ashtu në seancë publike. Dëshmitari ishte zëdhënës shtypi në KFOR-in gjerman në Prizren gjatë periudhës përkatëse”, tha ajo.
Në fund, Griep tha se dëshmitari i fundit është i mbrojtur dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja ky dëshmitar është i afërm i një viktime që pretendohet se është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci.
“Pasi dëshmitari i 64-të përfundoi dje dhënien e dëshmisë, Prokuroria thirri një dëshmitar të mbrojtur. Sipas përmbledhjes që lexoi Prokuroria, dëshmitari është i afërm i një viktime të pretenduar të zhdukjes me forcë dhe vrasjes së paligjshme në Drenoc. Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është caktuar për nesër, të premten, 24 maj, dhe fillon në orën 9:00 paradite”, tha ajo.