Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident ku janë përfshirë 7 vetura në rrugën “B” në Prishtinë.
Lajmin për teve1.info e ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën”B” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira shtatë automjete( 4 prej tyre në lëvizje ndërsa 3 të parkuara). Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit janë lënduar pesë persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut të kryeqytetit”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, nga Emergjenca në QKUK kanë bërë të ditur se pesë personat kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë liruar për në shtëpi.