Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka përuruar sonte parkingun nëntokësor të qytetit, një projekt që ai e ka cilësuar një ndër më domethënësit për komunën dhe qytetarët e saj.
Ai me këtë rast theksoi se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin urban dhe modernizimin e qytetit të Vushtrrisë.
“Është një moment i veçantë për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Është ndër projektet më domethënëse, prej fillimit e kam quajtur si kryevepra e qytetit dhe transformimi ku do të bashkohen modelja e klasikja. Sot, përuruam parkingut nëntokësor, një parking modern që i plotëson të gjitha standardet, bashkë me sheshin e qytetit dhe po ashtu sot ngritëm në këtë pjesë edhe flamurin e UÇK-së pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari”, tha Idrizi.
Ky investim i ka kushtuar komunës së Vushtrrisë dy milionë e 700 mijë euro, ndërsa pjesa e dytë e projektit do të vazhdojë deri në fund të sheshit “Adem Jashari”.