Të enjten është bërë përurimi i rrugës Bare –Selac në veri të vendit. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Ambientit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ai ka thënë ky është një projekt me rëndësi strategjike në veri të vendit.
“Bashkë me ministrin Xhelal Sveçla dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi, përuruam sot rrugën Bare-Selac, një projekt me rëndësi strategjike për veriun e vendit. Kjo rrugë, me gjatësi 8.4 km, jo vetëm që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por do të ndikojë dukshëm edhe në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në këto fshatra. Ndërtimi i rrugës i jep fund vështirësive të mëparshme të banorëve të kësaj zone, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe të sigurt me Mitrovicën. Për më tepër, duke qenë një zonë kufitare, rruga do të lehtësojë edhe punën e organeve të rendit”, ka shkruar Aliu në Facebook.