Një zjarr ka përfshirë një fabrikë në magjistralen Prishtinë-Pejë, përballë parkut të biznesit në Drenas.
Komandanti i Zjarrfikësve të Drenasit, Afrim Gjeli për teve1.info ka thënë se puna e zjarrfikësve për lokalizimin e zjarrit është duke vazhduar dhe persona të lënduar nuk ka.
“Ka ndodhur një zjarr i përmasave të mëdha në fabrikën për riciklimin e baterive. Nuk ka persona të lënduar nga ky zjarri”, ka thënë ai.
Gjeli ka thënë se për lokalizimin e zjarrit janë përfshirë disa ekipe.
“Kemi marrë të gjitha masat në parandalimin e këtij zjarri duke bashkëpunuar edhe me ekipe të tjera siç janë zjarrfikësit e Prishtinës, të Aeroportit dhe ata të Feroniklit. Pra, jemi përfshirë disa ekipe më parandalu përhapjen e zjarrit në pjesë tjera, pasi edhe operacioni për shuarjen e zjarrit në këto momente është duke vazhduar. Po, sa kam informacione është përfshirë pjesa e kësaj që konsiderohet deponi ”, ka thënë ai.
Rastin po ashtu, e ka konfirmuar për teve1.info Agron Burovci, zëdhënësi i policisë për Prishtinë, i cili tha se nuk raportohet për të lënduar dhe se zjarrfikësit janë në vendngjarje.
“Rreth orës 09:15, është pranuar informata për një zjarr në një objekt në fshatin Korreticë e Epërme të Drenasit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ftuar edhe zjarrfikësit të cilët po bëjnë përpjekje për lokalizimin e zjarrit. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale“, tha ai.