Policia e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ka nisur, që prej datës 21 janar 2025, zbatimin e planit operativ të koduar “Përdorimi i telefonit & rripi i sigurisë”.
Sipas Policisë gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 89 gjoba për përdorim të telefonit celular dhe 37 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë.
Në njoftim thuhet se ky plan ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të trafikut rrugor.
Po ashtu bëhet e ditur se fokusi kryesor i këtij plani është parandalimi dhe ndëshkimi i përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, si një ndër shkaqet e aksidenteve, si dhe kontrolli i përdorimit të rripit të sigurisë nga drejtuesit dhe pasagjerët, për të garantuar sigurinë personale në rast aksidenti.
“Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor do të jenë të pranishën në pika të ndryshme në rrugët magjistrale, por edhe në rrugët e qyteteve të rajonit : Ferizaj, Kaçanik,Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, duke përdorur teknologji moderne për monitorimin dhe dokumentimin e shkeljeve. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të motorizuara inkurajohen të respektojnë rregullat e trafikut, duke kontribuar në uljen e aksidenteve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor. Policia rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të raportojnë çdo rast të shkeljes së ligjit të trafikut rrugor. Mënyra e raportimit: Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250, 0290/322-406. Konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht. Bashkë për siguri më të madhe në rrugë”, thuhet në njoftim.







