Jo të gjithë e kanë vlerësuar të duhur lëvizjen që Mirlind Daku e bëri në korrikun e vitit 2023. Nga Osijeku kroat, ku nuk po luante dhe huazohej vazhdimisht, sulmuesi kaloi te klubi i kampionatit të Rusisë, Rubin Kazan.
Rubin Kazani është klub në Tatarstan, njërën prej 21 republikave të Rusisë. Kryeqendra e Tatarstanit, Kazani, dhe Moska janë 851 kilometra larg. Dhe larg aktualisht është edhe Daku me klubet më të mëdha ruse, përkatësisht klubet e Moskës dhe Zenitin e St. Petersburgut.
Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe punon kundër shtetit të Kosovës. Kjo është arsyeja e parë pse jo të gjithë e përkrahën kalimin e Dakut në këtë vend. Kur u transferua Daku, por edhe sot, kampionati rus është i izoluar. Klubet ruse nuk paraqiten në gara evropiane. UEFA e ka ndaluar këtë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Kjo është tjetër arsye pse disa mendonin që Daku do të duhej të zgjedhte një vend tjetër.
Në Rusi, Daku luan si lojtar nga Shqipëria, me pasaportë të Shqipërisë.
Në aspektin sportiv, kalimi te Rubin Kazani doli i qëlluar për Dakun. Ai luan rregullisht, është më i rëndësishmi në skuadër dhe shënon gola vazhdimisht.
Në edicionin e parë i kishte dhjetë gola e katër asistime në 28 paraqitje. Këto shifra i ka kaluar këtë edicion. Në 19 paraqitjet e deritashme i ka shënuar 11 gola dhe ka bërë pesë asistime. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund.
27-vjeçari shkëlqeu në fundjavë duke shënuar dy golat në fitoren 2:1 ndaj Spartak Moskës. Në Rusi lindën pyetje pse Daku nuk është pjesë e ndonjë klubi të madh në këtë vend. Interesim ka pasur vazhdimisht, por jo edhe transferim deri më tani.
Të martën mediumi serioz rus, “Sport-Express” ka shkruar se Spartaku e Zenit St. Petersburgu e refuzuan Dakun për arsye politike.
“Siç ka mësuar SE, Spartaku dhe Zeniti kanë pasur mundësinë ta blejnë sulmuesin e Rubinit, Mirlind Daku. Por të dy klubet kanë refuzuar të blejnë kartonin e lojtarit”, ka shkruar ky medium.
Tifozët e klubeve kryesore ruse kanë qëndrime proserbe dhe qëndrime anti-Kosovë e anti-shqiptare. Kjo mund të jetë arsye që ndonjëri prej klubeve ta ketë refuzuar Dakun. Po ashtu ndikimi serb në shumicën e klubeve ruse është i madh. Te Rubini janë disa shqiptarë, por momentalisht nuk mund të mendohet që në ndonjë klub nga Moska të jenë disa shqiptarë në përbërje. Ndërkohë lojtarë serb ka me bollëk.
Në të ardhmen e Dakut në Rusi, përkatësisht në klubet më të mëdha të këtij vendi, ndikim mund të ketë veprimi i tij në Euro 2024. Pas ndeshjes me Kroacinë ai mori megafonin dhe nisi një këngë fyese ndaj serbëve e maqedonasve. Sulmuesi u dënua nga UEFA, ndërsa reagimet për këtë në Rusi ishin të shumta. Madje kishte thirrje që ai të mos lejohej të luante më në Rusi.
Rubin Kazani megjithatë i doli në krah dhe reagimet me kohë u tretën.
Mediat ruse shkruajnë shumë për kosovarin. Të dielën ai u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë, për shkak të një konflikti me një lojtar të Spartak Moskës. Rrugës për në zhveshtore goditi tripodin e kamerës dhe mund të dënohet për këtë. Shumë njohës të futbollit në Rusi kanë vlerësuar se Daku nuk e ka merituar përjashtimin.
“Nuk mund ta ndryshoni atë. Ai argumenton vazhdimisht me referët. Ai mund të godas dikë, është karakteri i tij. Ai nuk do ta kontrollojë veten. Por është sulmues i vërtetë. Ai mund të tërheq vëmendje nga Evropa. Jo vetëm golat flasin për të, por edhe kualitetet e futbollit. Asgjë nuk mund të bëhet për karakterin e tij. Kur është në fushë jo gjithnjë e kontrollon veten”, ka thënë ish-trajneri i Krasnodarit, Igor Shalimov.
Ish-futbollisti i Spartakut, Aleksandr Mostovoy ka thënë se do të anulonte kartonin e kuq të Dakut, duke shtuar se përjashtimi i tij ishte i padrejtë.
Sajti “bussines-gazeta.ru” ka shkruar për lojtarët e Rubin Kazanit që agjërojnë. Ky medium ka shkruar se Daku agjëron gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa po shfaq formë të lartë, njëjtë si në Ramazanin e kaluar. Pos Dakut është raportuar se te Rubin Kazani agjërojnë edhe pesë lojtarë të tjerë, duke përfshirë shqiptarët Dardan Shabanhaxhaj dhe Marvin Çuni.
Te Rubin Kazani kanë thënë se Dakun mund ta shesin në verë. Por deri atëherë presin të tjerë gola prej tij.