E mërkura e gjeti në Prishtinë.
Por, një natë më parë, Gojart Jashari, raportoi në rrethana krejt të tjera.
Gazetari i Tëvë1 sapo kishte kryer një lidhje direkte nga Veriu i Kosovës.
Pas disa minutave në drejtim të tyre nga persona të maskuar u hodh një mjet shpërthyes.
Pavarësisht që në vendngjarje ishte Policia e Kosovës, autorët nuk u identifikuan e as nuk u kapën.
“Në momentin kur u hodh mjeti, kameramani me tha u hodh diçka, vetëm jam përkul dhe e kam shpejtuar hapin, aty ishin edhe njësitet e policisë, panë diçka po në pamundësi për me kap autorin”, tha Jashari.
E shumë herë në situata të tilla, është gjendur edhe kameramani, Sylejman Kllokoqi.
Ky tregon që plumbave në shtatë luftëra iu shpëtoi falë trajnimeve që Associated Press ia kishte ofruar.
“Disa trajnime që unë I kam kryer në Londër, është me njeriu, dmth është më rëndësi ta kesh sigurinë. Tregimi është tregim, po bën edhe pa tregim. Duhet ta studiosh situatën se ku po shkon, duhet të kesh informata se sa është e sigurt ajo zonë që po shkon”, tha Kllokoqi.
Kllokoqi ka disa këshilla për gazetarët që këto ditë shkojnë në Veri të Kosovës.
“Nuk shkon gazetari edhe aty pa këmishën anti-plumb. Duhet ta kesh kapelën dhe në të gjitha këto të shkruaj “Press, Press…”, shtoi ai.
Të shqetësuar me sulmet ndaj gazetarëve, janë shprehur edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
PRANVERA BEHLULI – RESTELICA, ANËTARE E BORDIT TË AGK-së
“Në adresë të AGK-së, janë raportuar 4 raste, pra të sulmeve ndaj gazetarëve, prej ditës së parë kur ka filluar raportimi kur janë ngritur barrikadat”, tha Pranvera Behluli–Restelica, anëtare e Bordit të AGK-së.
AGK në fund, thotë se po mungon përkrahja e institucioneve të vendit në ofrimin e sigurisë për gazetarët.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.