Rrugëtimin të cilën nuk patën mundësi ta ndjekin në fëmijëri, po e bëjnë tani.
Ragbete Krasniqi 66 vjeçare e Shemsije Veliu 65 vjeçe, po vazhdojnë ëndrrën e tyre të kahmotshme.
Dëshira e madhe për të mësuar shkrim dhe lexim ka bërë që këto dy motra të fillojnë mësimin intensiv në klasën e parë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.
Me laps në dorë dhe me Abetare para vetes, dy motrat po realizojnë një ëndërr që u ishte mohuar.
“Kam filluar pak me vonesë se fare hiq, kjo për kërkon, askush nuk më ka dhënë propozim, askush nuk e ka pas mendjen fare në atë punë, unë vetë kam insistuar me ardh me mësu”, deklaroi Ragbete Krasniqi.
Kushtet e jetesës e mentaliteti i kohës i kishte penguar ato që të shkollohen.
Por pas shumë dekadave, ato kanë gjetur guximin për t’iu kthyer rrugës së dijes.
“Nuk mundesh me marrë me mend dëshira e madhe me mësu, asnjë punë me lehtë nuk më ka ardh, edhe kam qef sikurse një ushqim që të pëlqen shumë, me marrë librin me lexu…”, tha nxënësja Shemsije Veliu.
Ndonëse janë në moshë të shtyrë, ato treguan arsyet se pse vendosën të mësojnë shkronjat e numrat në këtë kohë.
“Shpresoj me vazhdu, kam marrë edhe fletushka, kur i kam marrë Abetaren e këto, kam mësu shqip anglisht, normalisht po i ushtroj edhe këtu në klasë. Tash si gjyshe ka më shërby me shkru diçka, me lexu diçka, dhe në vetveten me investu. Ti mundesh me investu në shpi por ajo mund të shkatërrohet, por investimi ne vetvete e mban, e ruan”.
“Mas pari ajo ëndrra që e kemi pas tërë jetën na u ka realizu për me mësu shkrim lexim, e dyta është tash ne jemi moshu, sa rrijmë në telefon, më lehtë e lexojmë ndonjë libër diçka çfarë kemi dëshirë, për shpirtin e njeriut ushqimi më i mirë është, edhe pse s’kam ditë, e kam marrë veç e kam kqyrë”.
Të dy motrat kanë një apel për të gjitha ato gra të cilat nuk dijnë shkrim e lexim.
“Po unë ju kisha bo apel të gjitha femrave edhe grave edhe vajzave ma mirë është vonë se kurrë”, tha Krasniqi.
“U bëj apel krejt atyre grave, me shku, por edhe meshkujve pasi ka edhe meshkuj që nuk dijnë shkrim lexim… me vazhdu më mirë vonë se kurrë, kurrë nuk është vonë dija”, deklaroi Veliu.
E impresionuar me vullnetin e këtyre dy pensionistëve për të mësuar është edhe mësuesja e tyre, Lendita Fazliu.
“Ka ende vajza që kanë vullnet për me mësu shkrim leximin, i cili nuk iu është mundësuar në kohën ku kur këto kanë jetuar rininë e tyre, për shkak të kushteve të ndryshme, për shkak të mentalitetit, kjo dmth është një mundësi e artë”, tha mësuesja, Lendita Fazliu.
E jo vetëm këto dyja, në këtë shkollë janë edhe rreth 30 nxënës të tjerë të cilët mbajnë mësim intensiv.
“Numërojmë diku 30 kandidatë, konkursi është i hapur çdo vit, 18 javë është periudha kur një kandidat e përfundon një klasë, që i bie që për një vit kalendarik i përfundon dy klasë. Ka kandidatë prej komunave të ndryshme Suharekës, Ferizajt, Fushë Kosovës, Gjilanit. Vijueshmëria është e rregullta”, deklaroi drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.
Që nga viti 2001, në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë mbahet mësimi intensiv tre herë në javë.






