Bashkimi e ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Pejës në kuadër të çerekfinales të Kupës së Kosovës në basketboll, për të avancuar në gjysmëfinale.
Te enjtën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Bashkimi triumfoi me shifrat 73:70 kurse ndeshjen e parë në Prizren para disa javës, e kishte fituar me shifrat 96:90.
Ndeshja ishte e fortë dhe tejet e ngushtë, me fituesin që u përcaktua në fund të takimit.
Ish-basketbollisti i Pejës, Malcolm Armstead udhëhoqi Bashkimin drejt fitores pasi ndeshjen e mbylli me 13 pikë, 6 kërcime e 5 asistime.
Me lojë të mirë te Bashkimi u veçua edhe DeQuon Lake që regjistroi 17 pikë e 8 kërcime kurse te Peja më i dalluari ishte Skyler Flatten me 17 pikë.
Në fakt, ndeshja në Pejë u ndërpre për një periudhë për shkak të hedhjes së fishekzjarreve të tifozëve vendas në parket.
Ndërpreja ndodhi kur kishin mbetur edhe 46 sekonda lojë, ndërsa rezultati ishte 72:70 në favor të Bashkimit.
Tifozët e Pejës në shenjë pakënaqësie ndaj kryesisë së klubit reaguan në këtë mënyrë dhe ndeshja nuk rifilloi derisa u zbraz palestra.










