Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Republika e Kosovës, raporton teve1.info
Sipas një komunikate për medie, në raport me situatën e sigurisë në vend, Partia Demokratike e Kosovës shprehu mbështetjen e plotë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila sipas saj ka bërë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme dhe shumë profesionale në terren.
“Për PDK-në, tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd.
Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje.
PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme.
PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar. Në këtë kontekst, PDK kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Sipas njoftimit, PDK është mirënjohëse për përkushtimin dhe mbështetjen e aleatëve të shtetit ndaj Republikës së Kosovës.
Për PDK-në, interesi nacional i vendit mbetet mbi të gjitha, e posaçërisht në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit dhe siguria e qytetarëve.