Partia Demokratike e Kosovës përmes një aksioni simbolik ka reaguar për aferën “Droga”, ku ishte i përfshirë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili javën e kaluar u arrestua si pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, pasi iu zunë mbi 11 mijë e 300 doza drogë, që kapin shumën rreth gjysmë milioni euro.
Rinia e PDK-së ka vendosur një baner para Qeverisë së Kosovës me mbishkrimin “KONKURS për Diler të Drogës”.
Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Trim Syla ka thënë se sot, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, po e shpallin këtë konkurs.
“Siç e dini, asamblisti i kësaj partie është zënë me drogë, me 11.300 doza ekstazi, prandaj, e kuptojmë që kanë mbetur keq për shpërndarës të drogës brenda dhe jashtë Kosovës”, theksoi ai, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Syla tha se Qeveria Kurti mund të mos ketë libra dhe bukë për qytetarët, po drogë ka me bollëk.
“Sot, kur po flasim, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës , nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë. Ndërkaq, rreth 100 mijë të rinj e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit. As nuk po mund ta paramendojmë edhe sa të tjerë do të ikin nga janari. Përdorimi dhe shpërndarja e drogës nga partia në pushtet, po i ndihmon edhe njërës edhe tjetrës. Kjo Qeveri ndoshta libra edhe bukë nuk ka, po drogë ka sa të duash”, shtoi ai./teve1.info/