Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot tubim elektoral në fshatin Dobrajë e Madhe në Lipjan.
Në këtë takim elektoral ka marrë pjesë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili shprehu përkrahje të madhe për kandidatin për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja.
Krasniqi në fjalimin e tij tha se qytetarët e Lipjanit duhet të vendosin ta kthejnë qytetin në rrugën e duhur pasi sipas tij ata nuk kanë më kohë për të humbur.
“Vërtetë ndjehem mirë kur jam në mesin tuaj dhe në javët e kaluara kemi qenë shpesh bashkë në pjesë të ndryshme të Komunës së Lipjanit dhe ajo që e vrej siç e kam vrejtur çdo natë tjetër e sidomos sot që është ftohtë jashtë është ngrohtësia e madhe që e keni sjell, është ngrohtësia që më garanton se keni vendosur për datën 12 tetor ta bëjmë kryetar edhe njëherë Shukri Bujën. E dini se kam çka të them edhe për Shukri Bujën edhe për PDK-në edhe për kohën e qeverisjes së tij në Lipjan, por sot dëshiroj të ju lë me tri mesazhet kryesore. E para mendoj se vërtetë është koha që Lipjani të kthehet në rrugën e duhur, kanë kaluar 12 vite që Lipjani qeveriset nga një mentalitet i caktuar, nga një grup njerëzish të caktuar, nga një mendësi e cila është rigjide. 12 vite nuk janë pak janë shumë, ka pasur potencial që nuk është shfrytëzuar, shumë kohë është humbur. Njerëzit në Lipjan nuk kanë më kohë për të humbur, është koha të bëhemi bashkë të gjithë pa dallime partiake rreth kandidaturës së Shukri Bujës dhe ekipit të tij për ta kthyer Lipjanin aty ku dëshironi ju”, tha Krasniqi.
Tutje, Krasniqi thotë se Shukri Buja është njeri që ka dëshmuar punën e tij në qeverisjen e fundit të tij.
Sipas Krasniqit Buja ka qenë kryetar në kohën kur buxhetet komunale ishin 1/10 e buxheteve të sotme.
“Dëshmitë i keni, Shukri Buja ka qenë edhe më herët në krye të Lipjanit dhe nuk ka punë të madhe që është bërë në këto vite, që nuk e ka vulën e tij ose që nuk ka qenë iniciativa e tij. Koha është që të kthehet Lipjani në rrugën e duhur. E dyta që dua të ua them për njeriun që ju e njihni, Shukri Buja është njeri i fjalës dhe i punës, për të po është po dhe jo është jo. Atë që e thotë e mendon mirë, por kur e thotë atë e realizon. Sot Lipjani ka nevojë për një njeri që kur e vesh pallton e punës nuk e zhvesh për katër vjet, por punon për çdo qytetarë dhe për çdo familje pa dallim. Shukri Buja ka qenë kryetar në kohën kur buxhetet e komunave nuk kanë qenë as 1/10 e kësaj që kemi sot dhe përkundër këtyre sfidave dhe vështirësive ka qenë njeriu që i ka dhënë konturat e modernitetit kësaj komune. Sot besoj fuqishëm që të kthehemi aty ku e ka lënë punën Shukri Buja, sepse ka shumë punë e këto punë duhet t’ia besojmë që t’i realizojë ai. E treta që dua t’ua them sot, vërtetë për një kohë të gjatë, Lipjani është konsideruar si një lagje apo qytezë aty afër Prishtinës, por vitet e fundit shumë familje kanë lëvizur nga rreth komunës tuaj dhe kanë ardhur të krijojnë familjet këtu. Ka ardhur koha që Lipjani ta konsolidoj identitetin e vet urban, si një qendër e rëndësishme që konkuron me qendrat e tjera. Të jetë qytet i rëndësishëm për Kosovën, kjo mund të bëhet vetëm me një njeri dhe një ekip që e ka një vizion se si zhvillohet ky qytet dhe jam i bindur që i vetmi kandidat që e ka edhe vizionin e qartë edhe projektet konkrete edhe të buxhetuara edhe të planifikuara është kandidati jonë, Shukri Buja”, tha Memli Krasniqi.
Ndërkohë, kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja e nisi fjalën e tij duke potencuar faktin se në lokacionin ku po mbahet tubimi nuk ka rrymë dhe se ndriqimi i sallës është i improvizuar.
Buja tha se nëse ai do të zgjidhet kryetar i Lipjanit, sallat do të jenë me ndriqim efiçient.
“Po filloj fjalën time me ndriqim të improvizuar, sepse nuk ka rrymë. Sallat tona kur të jem kryetar do të jenë me ndriqim efiçient, do të jenë me rreze solare. Kur kam vendosur pas shumë konsultimeve për të kandiduar për kryetar, si një njeri ish ushtarak, ka qenë normale ta skenoj gjendjen, kam qenë në çdo fshat, në çdo lagje, kam biseduar me qytetarë dhe kam skanuar gjendjen. Pas këtij skanimi kam krijuar ekipet, ekipe të cilat janë profesionale. Përveç ekipeve të cilat e kanë bërë programin, janë edhe ekipet që na ndihmojnë edhe në logjistikë. Prandaj sot jemi të gatshëm të kemi një program që do ta zhvillojë Lipjanin, por ai vizion i yni do të jetë nëse ju jeni përcaktuar të votoni numrin 191 numrin e PDK-së”, tha fillimisht Buja.
Buja prezantoi para qytetarëve projektet e planprogramit të tij qeverisës për lokalitetet e fshatrave përreth.
“Ky është programi për fshatrat të cilat ju jeni duke jetuar, investime në shkolla sipas standarteve efiçiente. Investim në kabinete shkollore, si kimi, fizikë, biologji dhe teknologji informative. Investime në digjitalizim të shkollave përmes tabelave smart, e-ditarit dhe biblotekës digjitale. Aplikimi i mësimit ditor në tri shkolla, pilot-projekt që do të zgjerohet. Investime në hapësirat shkollore, shkollat do t’i kthejmë në funksion të qendrave komunitare me kurse dhe trajnime falas për nxënësit. Mbështetje financiare për studentë të dalluar dhe praktikë me pagesë për të sapodiplomuarit. Organizimi i transportit publik falas për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme. Uniforma falas për të gjithë nxënësit. Ndërtimi i çerdhes për fëmijë me kapacitet për vendbanimet Dobrajë e Madhe, Dobrajë e Vogël dhe Gllanicë. Ndërtimi i Pishinës shkollore në Dobrajë të Madhe.Rregullimi dhe zgjerimi i parkingut për autobusë dhe taxi në Dobrajë të Madhe, rregullimi i parkut afër xhamisë në Torinë. Funksionalizimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjitha këto lokalitete. Rritja e kapacitetit të furnizimit me ujë 24 orë si dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në të gjitha lagjet e përfshira në këto lokalitete. Investimet në të gjitha hapësirat publike brenda këtyre lokalitete me projekte të detajuara urbane; si parqe, gjelbrim të lartë, shëtitore dhe kënde të lojërave. Sigurimi i 10 autoambulancave të pajisura për shërbime emergjente të shpërndara në nënqendrat urbane për intervenime të shpejta. Ndihmë emergjente 300 euro për familjet në gjendje të rëndë socio-ekonomike, 100 euro në muaj për anëtarët e familjes me sëmundje kronike, shtëpi rezidenciale për qytetarët pa përkujdesje. Këto premtime do të realizohen sepse janë premtime me një fond krejt tjetër me një fond shumë më të madh me një fond të shumëfishuar, janë mbi 40 milionë euro investime vetëm nga buxheti komunal. Nuk do kemi salla që do të pikin ujin. Do kemi salla të ndërtuara si duhet. Me votën tuaj jo vetëm që më bëni nder mua, jo vetëm më bëni krenar si kandidat, por bëni krenarë edhe ata që po zhvillojnë betejën e fundit, i bëni krenarë ata që janë sot duke e mbrojtur luftën tonë çlirimtare, i bëni krenar bashkëluftëtarët tanë”, tha ai.
Në këtë tubim elektoral u prezantuan edhe 34 kandidatët e listës së PDK-së për Kuvend Komunal të Lipjanit.