Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën që po mbahet sot si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli për arrestimet që kanë ndodhur dje në KEK.
Sipas shefi të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kjo gjë është e domosdoshme, shkruan teve1.info
“Si Grup Parlamentar kërkojmë që si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik mbi arrestimet që kanë ndodhur dje në KEK. Ne e dimë që KEK-u drejtohet nga një bord i emëruar nga qeveria, bordi ka emëruar një kryeshef që ka qenë zyrtar i lartë i LVV-së”, ka thënë Tahiri.
Tahiri theksoi se si grup parlamentar në vazhdimësi i kanë ngrit shqetësimet e tyre rreth abuzimeve që kanë ndodh dhe keqmenaxhimin e krizës energjetike në vend.
“Kemi ngrit një komision hetimor dhe tashmë kemi përgatit një dosje për ta dorëzuar në prokurori për shkeljet që ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut. Andaj, është e nevojshme që ministrja sot të na tregojë se për çfarë abuzimesh bëhet fjalë, për çfarë tenderi është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, sa është vlera monetare e abuzimeve që janë kryer etj”, tha Tahiri.
Ndërsa pas këtij propozimi të mocionit për ndryshim të rendit të ditës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka hedhur në votim këtë propozim i cili nuk mori mbështetje nga deputetët.
Në votim morën pjesë 77 deputetë, 32 votuan pro dhe 45 ishin kundër.
E për këtë mosvotim ka reaguar deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili e cila ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka shkelur rregulloren e Kuvendit duke mos i lejuar kryetarët e e grupeve parlamentare ta marrin fjalën.
Kujtojmë se në rend dite janë 10 pika, ndër të cilat edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit./teve1.info








