Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, ka deklaruar se është arritur pajtim me institucionet e Kosovës për zbatimin e Ligjit për të Huajt, i cili pritet të nisë së zbatuari nga nesër.
Ai tha se gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar për çështjet vendore dhe rëndësinë e zgjidhjes së tyre sa më shpejt, në mënyrë që vendi të ecë përpara në procesin e integrimit evropian.
Sipas Oravit, në javët e fundit janë zhvilluar diskutime intensive ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me zbatimin e këtij ligji, ndërsa tashmë është arritur një marrëveshje që përfshin edhe disa masa shtesë.
“Shpresojmë që të gjitha ato çështjet vendore do të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të mund të ecim përpara me procesin e integrimit në BE. Së pari në takim me Kurtin jemi përqendruar në zbatimin e plotë të Ligjit mbi të Huaj, kemi diskutuar zbatimin që do të fillojë nga nesër, kemi pasur diskutime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi dhe zbatimi të Ligjit mbi të Huajt me disa masa përmbajtësore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serb të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, ka deklaruar Orav në konferencë për media pas takimit të emisarit të BE-së Peter Sorensen me kryeministrin Albin Kurti./teve1.info/







