Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në Facebook ka thënë se ka zhvilluar një takim me zv. Kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu, me ç’rast u njoh nga afër me funksionimin e kësaj Agjencie.
“Roli i kësaj Agjencie është krucial në adresimin dhe ekzekutimin e politikave që i shërbejnë sigurisë ushqimore andaj do i kushtohet rëndësi e veçantë ngritjes së kapaciteteve njerëzore e laboratorike me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve tanë nga rreziqet që vijnë nga sëmundjet që barten përmes mungesës së kontrollit fitosanitar të cilësisë, ushqimet e pa-kontrolluara e të ngjashme”, ka shkruar ai.
Teksa tha se kryeministri Kurti, përmes kthimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tek Ministria e Bujqësisë, konfirmoi orientimin e kësaj Qeverie që secila Agjenci e secili Institucion të jenë funksional dhe t’i kontribuojnë fushës për të cilën janë të mandatuara.
:MBPZhR po ashtu njofton se, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, për çdo ankesë rreth sektorit të bujqësisë, Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0 800 38 000 dhe email adresën [email protected] , ku do të pranohen ankesat dhe do mund të merren informacionet e nevojshme për çdo pyetje të qytetarëve”, shkroi tutje ai.