Është ora 08:00 e mëngjesit.
Pas plot katër muajsh, nga shtëpia dolën edhe një herë me çantat e shkollës.
Të gëzuar shtatë nxënësit nga lagjja “Podaj” e fshatit Koliq, iu drejtuan mjetit që do t’i transportojë deri në shkollë.
Ky i fundit, iu kishte munguar për disa muaj.
Kjo bëri që nxënësit, ta humbin gjithë procesin mësimor në gjymsëvjetorin e parë.
E kthimin në bankat shkollore, po e presin me padurim nxënësit.
“Unë jam gëzuar shumë që është kthy edhe tash shkojna në shkollë… Tash jena tu i mësuar mësimet, tash më shumë jena tu arrit me i mësu”, shprehet Fatlume Sheqiri, nxënëse e klasës së gjashtë.
“Unë ndihem mirë që është lëshu. Unë jam shumë e lumtur dhe më kanë mungu shokët e shoqet”, thotë Fatbardh Sheqiri- nxënës në klasën e tetë.
Nga Koliqi, shkollarët me mjetin e ri të transportit, morën rrugën katër kilometereshe deri tek shkolla fillore e mesme e ulët “Tefik Çanga”.
Këtu, pas katër muajsh, do të takohen sërish më shokët e shoqet e klasës. Të lumtur me kthimin e nxënësve në bankat shkollore, u shprehen edhe mësimdhënësit.
“Me lëshimin e transportit kombit-busit, fëmijët kanë fillu, rregullisht janë duke ardh as një mungesë më se kanë. E keqja ka qenë që katër muaj nuk kanë startu fare për shkak të transportit” , thotë Naim Sheqiri- profesor i gjuhës shqipe.
Shkak i mungesave, mësuesit thonë se nxënësit hasën në vështirësi.
“Vështirësi në fillim kanë pasur se kanë qenë mbrapa. Po kadal-kadale veç kanë fillu me e marr atë pjesën kryesore…Mundohemi çdo ditë ata me i avancu se janë pak mbrapa, por nuk janë keq, se kanë qenë nxënës të mirë edhe përpara. Kështu që nuk e kanë problem me zënë atë pikën kryesore” , shprehet profesori.
Ndryshe, Tëvë1 në muajin janar, ka realizuar dy kronika për mungesën e mjetit transportues për nxënësit e kësaj lagjeje.
Kjo gjë, shtyri Komunën e Prishtinës, ta bëj një zgjidhje që nxënësit t’i kthehen mësimit.
Nxënësit e Koliqit që prej nëntorit s’vijojnë mësimin, shkak – transporti







