Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se si pjesë e vizitës emergjente në Kosovë pas ngjarjeve të fundit në veri, sot, në Selinë Qendrore të kësaj partie, ka pritur emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor , Manuel Sarrazin; i cili shoqërohej nga ambasadori, Rohde dhe zëvendësambasadori gjerman, Conrad.
Ai tha se në këtë takim shprehu domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës si dhe se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve.
“Të dërguarin e posaçëm gjerman, e falënderova për mbështetjen e shtetit Gjerman dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme. Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë.
Shpreha qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist.
Shpreha po ashtu, domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve.
Në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi. Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”, ka shkruar Abdixhiku.







