Nxënësit nuk u kthyen në bankat shkollore në fillim të shtatorit si zakonisht për shkak të grevës nga BSPK dhe SBASHK.
Sindikatat të shtunën njoftuan se kanë pezulluar grevën e tyre deri në janar të vitit 2023, pas votimit që u bë nga anëtarët e sindikatave ku me një rezultat të ngushtë, shumica e anëtarëve ishin për pezullimin e grevës, ani pse kërkesat e tyre nuk u plotësuan.

Greva ishte shpallur më 25 gusht nga ana e BSPK-së, ku kërkesë e tyre ishte që Qeveria t’u ndante nga 100 euro shtesë në muaj derisa Ligji i Pagave të hynte në fuqi.
Hyrja në grevë erdhi pasi sipas BSPK-së, Qeveria edhe pse ishte paralajmëruar për një gjë të tillë injoroi kërkesat e tyre.
Pak ditë pas fillimit të grevës, Qeveria e Kosovës prezantoi pakon për përballje me inflacionin e cila përfshinte edhe ndarjen e 50 eurove shtesë për të gjithë punonjësit publik për një periudhë tre mujore.
Por, kjo nuk i bindi sindikalistët për të ndërprerë grevën. Por nga çdo ditë që kalonte, nisi të ashpërsohej edhe gjuha ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë dhe sindikalistëve.
Në akuza e gjuhë të ashpër nuk u kursye as kryeministri Albin Kurti. Madje ai shpesh në deklarimet e tij SBASHK-un e cilësonte si sindikatë e dirigjuar nga opozita.
Qeveria ua kishte ndal edhe pagat grevistëve, e këtë vendim thoshte se e ka marrë duke u mbështetur në ligj, kurse sindikalistët dhe opozita këtë veprim i kishin cilësuar si shantazh ndaj tyre.
Ekzekutivi akuzohej se po bojkotonte dialogun social, ndërsa nga Qeveria e thonin të kundërtën, madje kryeministri Kurti edhe gjatë mbajtjes së grevës kishte zhvilluar takime me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykolli, por jo edhe me atë të SBASHK-ut, Rrahman Jasharin, me arsyetimin se ai takohet “me Hykollin i cili përfaqëson të gjithë punëtorët, ndërsa Jashari takohet me ministren e Arsimit”.
Por, pas një presioni publik edhe takimi Kurti – Jashari i zhvilluar më 13 shtator nuk dha ndonjë rezultat.

Pas këtij takimi kreu i SBASHK-ut, kishte thënë se greva vazhdon pasi kërkesat e tyre nuk janë pranuar, por e kishte vlerësuar si hap të mirë, siç kishte thënë ai “fillimin e dialogut”.
E kryeministri Kurti, pas këtij takimi kishte mbajtur konferencë për medie, ku kishte thënë se kishte paraqitur një ofertë me tri pika për të cilat thoshte se i është thënë se do të diskutohen me anëtarësinë, andaj ishte shprehur i habitur se si vendimi për vazhdimin e grevës u tha menjëherë pasi përfundoi takimi.
Për grevën u diskutua edhe në Kuvendin e Kosovës dhe Komisionin Paralamentar për Arsim, ku edhe këtu përveç akuzave nga zyrtarët e Qeverisë dhe deputetët e shumicës dhe opozita në anën tjetër nuk kishte ndonjë zgjidhje.

Për shkak të situatës me grevën Kosovës e kishte vizituar edhe Susan Flocken, Drejtoreshë Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE).
Ajo kishte zhvilluar takim me Kurtin dhe përfaqësues të SBASHK-ut, por pa ndonjë rezultat.
Pas gjithë këtyre përpjekjeve greva u pezulluar të shtunën, por SBASHK-u i ka bërë thirrje Qeverisë të reflektojë, duke mos e përjashtuar përsëri hyrjen në grevë./teve1.info/