Në sallën e konferencave hynë bashkë.
E kur dolën para medieve, zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor.
Listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, iu bashkua Eman Rrahmani me bashkëpartiakë, që në zgjedhjet e fundit parlamentare ishin pjesë Koalicionit për Familjen.
I pari i PDK-së, Bedri Hamza tha se ky koalicion do të jetë i qëndrueshëm dhe synon ndryshimin në vend.
Përveç me PDK-në, Rrahmani tregoi se kanë pasur edhe bisedime me LDK-në.
Ndryshe nga Rrahmani, inxhinieri Ermal Sadiku vendosi që t’i bashkohej Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pak ditë më parë në LDK kaluan edhe gazetari Festim Kabashi dhe artistja Adelina Thaqi.
Një emër tjetër i përfolur për t’u bashkuar me LDK-në, ishte edhe ai i profesorit Rrahman Paçarizi.
Megjithatë, profesori Paçarizi tregoi për Tëvë1 se akoma nuk e ka marë ndonjë vendim.
Ndryshe, pas një kohe të gjatë, ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka konfirmuar se në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputet.
Mirëpo, Krasniqi ka treguar se në zgjedhjet e dhjetorit do ta mbaj pozitën Shefit të Shtabit Qendror Zgjedhor të PDK-së.



