Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se është parandaluar tentimi i disa të dënuarve për të kontrabanduar gjëra në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas SHKK-së, të hënën gjatë kontrollit, rreth 20 metra afër murit të jashtëm, zyrtarët e sigurisë kanë hasur në dy paketime të mbështjella me qese najloni, ku janë gjetur katër telefona mobil, katër adapterë për mbushjen e telefonave, dy palë kufje, si dhe dy paketime të tjera të mbështjella me substancë të dyshuar narkotike, me peshë totale prej 10 gramësh së bashku me mbështjellësin.
Materialet e konfiskuara janë siguruar sipas procedurave ligjore, ndërsa është njoftuar edhe Policia e Kosovës për hetime të mëtejme.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë të punojë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin e kontrabandës dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë brenda institucioneve korrektuese”, theksohet në njoftim.