Janë këta nxënës të komunës së Podujevës.
Por ky interpretim nuk shkoi siç u planifikua.
Një paramilitar serb ndërpreu orën mësimore,
E këtu u deshtë të intervenonin “Rojet e Kohës”.
Është kjo pikë artistike në përkujtim të nxënësve të helmuar në vitin 1990.
Të hënën, ish-nxënës, ish-profesorë dhe qytetarë të Podujevës ishin mbledhur në teatrin e qytetit.
Kjo për të përkujtuar këtë ngjarje.
“Sot jemi mbledhur për kujtesë dhe dinjitet… ajo ishte përpjekje për goditjen e shpresës së popullit… sa herë është tentuar të thyhet arsimi me dhunë, ne nuk jemi dorëzuar…”, ka thënë Llumnica.
Në mbrojtje të nxënësve dhe profesorëve në atë kohë kishte dalë shoqata “Rojet e Kohës”.
Kryetari i kësaj shoqate foli për angazhimin e tyre.
“Një akt i rëndë dhe çnjerëzor që tentonte të frikësonte një popull të tërë. Historia dëshmoi diçka tjetër: ata menduan që do të na ndalin, por ne nuk u dorëzuam; menduan që do të na thyejnë, por ne qëndruam bashkë. Ishte një sulm ndaj dijes, ndaj popullit”, u shpreh Tërnava.
Por kush ishin “Rojët e Kohës”?
“Rojet e Kohës janë punëtorë që u larguan nga puna, por nuk u dorëzuan…Mësimdhënësit, rojet e fshatrave dhe lagjeve që mbronin në kohë okupimi”, u shpreh tutje Tërnava.
Për kontributin e kësaj shoqate foli edhe profesori Nexhmi Ganiu.
“Në vitin 1990, qindra nxënës në komunën e Podujevës u helmuan nga forcat serbe. Disa prej tyre humbën jetën, ndërsa të tjerë pësuan lëndime të rënda”, ka thënë Ganiu.








