Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se të mërkurën është marrë vendim për lirimin nga detyra të ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencia Kadastrale e Kosovës, Avni Ahmeti.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo bëri të ditur se në vend të tij është emëruar Faik Kelmendi si ushtrues detyre në këtë pozitë.
Sipas ministres, ky ndryshim vjen si pjesë e procesit të reformave dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
“Synimi ynë mbetet rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies, me qëllim që të avancojmë me sukses prioritetet tona në fushën e kadastrës dhe pronës, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit”, ka theksuar Pacolli.







