Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar ndaj një deklarate të fundit të ambasadorit gjerman, Rainer Rudolph, duke ngritur shqetësime për integritetin e procesit gjyqësor në Hagë.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, përmes një reagimi publik, ka shprehur dyshime për ndikime të jashtme në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, koha kur po bëhen deklarata të tilla nuk është e rastësishme.
“Pse po ngrihet kjo temë pikërisht tani nga ambasadorët, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale? Kjo është përpjekje për ta parapërgatitur opinionin për një vendim që duket se tashmë është i shkruar diku tjetër”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka theksuar se diskutimi publik për “dënime apo lirime” nga përfaqësues diplomatikë përbën, sipas tij, paragjykim të procesit.
“Nuk është neutralitet nëse ambasadorët flasin për ‘dënime apo lirime’, por është paragjykim i hapur i procesit dhe sinjal i qartë i ndikimit të jashtëm”, është shprehur ai.
Gucati ka shtuar se drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e pandikuar nga faktorë të jashtëm.
“Drejtësia nuk duhet as të diktohet, as të parapërgatitet dhe as të ndërtohet me mesazhe diplomatike”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka bërë të ditur se OVL UÇK nuk do të pranojë asnjë vendim që, sipas tyre, cenon luftën e UÇK-së.
“Asnjë vendim, absolutisht asnjë, që e cenon luftën tonë, nuk do të pranohet. Nuk e lejojmë askënd të luajë me sakrificën tonë”, ka përfunduar Gucati.







