Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të udhëzimit administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Sipas OVL-UÇK, ky vendim përbën një fitore të drejtësisë dhe të ligjit, duke korrigjuar një padrejtësi ndaj shumë veteranëve që siç thuhet ‘edhe pse të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat për përfitime nga skema e kompensimeve’.
“Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet se ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore, dhe se çdo kufizim i paarsyeshëm i të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare.
“OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, thuhet në fund.
Ndryshe, Gjykata Supreme ka rekomanduar gjithashtu që udhëzimi administrativ të harmonizohet me ligjin për veteranët, duke u mundësuar atyre që punojnë në sektorin privat të përfitojnë deri në 50% të shumës së paraparë për veteranët.









