Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mohoi pretendimet e veteranëve për mospërfshirje në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Në reagim, OVL-UÇK ka theksuar se vetëm pas deklaratës së tyre publike, Ministria e Mbrojtjes i ka dërguar një email për pjesëmarrje në një “Grup Punues”, ku pjesëmarrja është paraqitur si e detyrueshme.
Organizata ka vlerësuar se ky njoftim ka karakter urdhërues dhe më shumë ngjan me një “urdhërese” administrative sesa një ftesë për bashkëpunim institucional të barabartë.
“Pas deklarimit tonë publik për mospërfshirjen reale të kategorive të dala nga lufta në Këshillin për shënimin e Epopesë së UÇK-së, sot më 23.02.2026 në ora 10:37, pra vetëm pas reagimit tonë, Ministria e Mbrojtjes na ka dërguar një email për pjesëmarrje në një “Grup Punues”. Përmbajtja e këtij emaili, ku theksohet se “pjesëmarrja është e domosdoshme”, ka karakter të qartë urdhërues dhe më shumë i ngjan një “urdhërese” administrative sesa një ftese për bashkëpunim të barabartë institucional. Kategoritë e dala nga lufta nuk janë vartës të asnjë ministrie dhe nuk mund të trajtohen me gjuhë urdhëruese për një ngjarje që buron nga vetë sakrifica e tyre”, thuhet në reagim.
Vendimi i Qeverisë i datës 20.02.2026 parashihte vetëm një përfaqësim të përgjithshëm për “një anëtar”, gjë që sipas veteranëve është formal dhe i vonuar, jo përfaqësim real.
OVL-UÇK thekson se Epopeja e UÇK-së, e lidhur me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rënien heroike në Prekaz, nuk është aktivitet protokollar administrativ, por themel moral dhe historik i shtetit të Kosovës.
Për rrjedhojë, organizata nuk do të marrë pjesë në Grupin Punues të Ministrisë së Mbrojtjes, por ka themeluar Këshillin e saj përfaqësues dhe do të vazhdojë organizimin e ngjarjes me dinjitet dhe respekt për rëndësinë historike.
“Historia e luftës sonë nuk administrohet me njoftime të vonuara, ajo nderohet me respekt dhe përfaqësim të barabartë”, theksohet në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes mohon përjashtimin e OVL-UÇK-së nga organizimi i Epopesë së UÇK-së








