Në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, krerët shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, kanë vlerësuar lart kontributin e heronjve, martirëve dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për lirinë, ndërsa mirënjohje të thellë shprehën për shtetet që ndihmuan vendin në mbylljen e kapitullit të errët që shkaktoi Serbia.
Në pritjen e përbashkët shtetërore për nder të Ditës së Çlirimit, presidentja Osmani tha se 12 qershori i vitit 1999 ishte fanar shprese pasi në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Duke shprehur mirënjohjen për shtetet anëtare të NATO-s, ajo tha se Kosova ka sërish nevojë për aleatët e saj, të cilët e ndihmuan më 1999. Derisa tha se sfidat sa vijnë e shtohen, Osmani u shpreh se duhet unitet në mënyrë që të mbrohet çdo pëllëmbë e Republikës së Kosovës.
“Sot kemi nevojë sërish për aleatët tanë. Forcimi i subjektivitetit tonë ndërkombëtar është angazhim i yni i çdoditshëm, e në këtë rrugëtim ndihma nga miqtë tanë është jetike. Anëtarësimi në BE, në NATO, në KiE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është në funksion të një republike më të fuqizuar, të një Evrope më të angazhuar. Rruga jonë euroatlantike është prioritet i yni shtetëror, rrugëtimi jonë evropian është ëndrra jonë e kahmotshme dhe mbështetja e aleatëve në këtë rrugëtim nuk është vetëm për Kosovën, por fuqizim i projektit evropian në këtë kohë sfiduese për kontinentin e vjetër. Uniteti evropian, treguar në mbështetje të lirisë së Kosovës është po kaq i nevojshëm sot, me qëllim të garantimit të paqes së qëndrueshme në kontinentin tonë. E përderisa sfidat sa vijnë e shtohen, ne duhet të jemi të bashkuar për mbrojtje të sovranitetit të shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të Republikës të Kosovës… Teksa festojmë 24-vjetorin e lirisë le ta ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë si komb… Republika jonë është më shumë se kurrë e gatshme për kapituj të rinj”, tha Osmani.
E para e vendit u shpreh se lufta për liri është një rrugëtim i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe vendosmëri të palëkundur.
“Kjo ditë përmbyllë një kapitull të errët të së kaluarës tonë dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të qëndrueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë. Sot, kujtojmë me respekt kontributin e heronjve tanë, të martirëve, të vajzave e djemve të UÇK-së dhe të miqve, aleatëve tanë ndërkombëtarë që e bënë realitet realizimin e ëndrrës tonë për liri e pushtet… Lufta për liri është një rrugëtim i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe vendosmëri të palëkundur. Lirinë e çmueshme e arritëm me solidaritetin e miqve nga e gjithë bota… Ne u jemi mirënjohës. U jemi mirënjohës veçanërisht grave dhe burrave të forcave të NATO-s, kontributi i të cilëve për lirinë tonë do të kujtohen e çmohet përherë nga qytetarët e Kosovës”, tha ajo.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sot kujtohen heronjtë, deshmorët dhe të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës. Ndërsa theksoi se Serbia nuk do të mund të bëjë më kurrë atë që dikur bëri në Kosovë.
Vetëm mbi një etikë të palëkundshmërisë, Konjufca tha se mundi të ngrihet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Përpjekja, rezistenca dhe lufta jonë për çlirim nga pushtimi serb ishte e drejta jonë e popullit autokton që e meritoi lirinë në tokën e vet historike. Prandaj, ne kujtojmë ata që sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit tonë, i kujtojmë heronjtë, të rënët, dëshmorët e Kosovës, gjaku i të cilëve janë fuqia e pathyeshme e e pashlyeshme e themeleve të Kosovës. Në këtë ditë kujtojmë komandantin historik Adem Jashari dhe të familjes Jashari. Vetëm mbi një etikë të tillë të pathyeshmërisë, mundi të ngrihej ushtria jonë çlirimtare. Projekti i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës kurrë nuk ishte një përpjekje kundër të tjerëve, por një kauzë e lirisë për të gjithë pavarësiht përkatësisë etnike, religjioze… Kurrë më Serbia nuk do të mund të bëjë në Kosovë atë që e bëri. Këtë neve na e mësoi liria jonë”, tha Konjufca derisa çmoi lart kontributin e aleatëve ndërkombëtar në rrugën për liri”, tha ai.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se historia po vendoset në “provim” çdo 4-5 vjet, për ta sprovuar vetën nëse mund të përsëritet.
Duke aluduar në zhvillimet e fundit në vend, kur serbët po protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri të vendit.
“Ne përpiqemi ta mësojmë historinë me qëllim që edhe të mos përsëritet ajo, por me sa duket ajo na merr neve në provim çdo 3-4 apo 5 dekada, për ta sprovuar edhe ajo vetën nëse mund të përsëritet. Luftërat në ish-Jugosllavi të ndezura dhe të prira nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit dhe e rrethit të tij të errët, shkaktuan gjenocide dhe krime kundër njerëzimit, më të llahtarshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu siç popujt liridashës kishin trupat e rezistencës, ne kishim UÇK-në… Duke ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, vendet perëndimore respektuan historinë e tyre dhe u treguan besnike të vlerave të tyre themeltare për të luftuar për lirinë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe për të ruajtur njerëzoren”, tha Kurti derisa shprehu mirënjohjen e Kosovës për aleatët e Kosovës që ndihmuan Kosovën në rrugëtimin për liri”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit citoi shkrimtarin Mitrush Kutelin, duke përcjell mesazhin se Kosova angazhohet çdo ditë për të barazi, liri e paqe./kp