Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen e akademikut dhe ish-kryetarit të Prishtinës Salih Gashi me rastin e vdekjes së tij.
Osmani ka thënë se Gashi ishte një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të Kosovës.
Ai i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë, ka shtuar ajo.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, ish-kryetar i Prishtinës, një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të shtetit tonë. Profesor Gashi i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë. Ai ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Tutja Osmani ka thënë se kontributi i jashtëzakonshëm i Gashit në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë.
Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Salih Gashin”, është shprehur ajo.