Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe se përgjegjësit, duhet të dalin para drejtësisë.
Ajo me rastin e pranimit të letrave kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Béla Boszik, tha se Kosova do të jetë bashkëpunuese me aleatët.
“Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit duhet të vihen para përgjegjësisë. Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Sa i përket raporteve ndërmjet dy shteteve “Marrëdhëniet e mira ndërmjet të të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani datojnë jo vetëm nga vitet e 90-ta, në kohën e presidentit Rugova, porse edhe nga përpjekjet e përbashkëta historike”, thuhet në komunikatë.
U diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimi ndërshtetëror, posaçërisht në fushën e shkëmbimit të studentëve dhe u tha se ka potencial për fuqizim të marrëdhëniet ekonomike.
Ndërkaq ambasadori Boszik, u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët./teve1.info/