Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e ka pritur në takim presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar.
Osmani ka thënë se zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimi i Kosovës për integrimin euroatlantik, si dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve kanë qenë temë diskutimi gjatë takimit të tyre.
“Sot pata kënaqësinë ta pres në drekë pune Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Sllovenia mbetet një nga aleatët dhe miqtë tanë më të ngushtë. Diskutuam për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin tonë për integrimin euroatlantik dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. I shpreha mirënjohjen për kontributin e trupave sllovene në kuadër të KFOR-it, të cilët Presidentja Musar i vizitoi mbrëmë me rastin e festave të fundvitit”, ka shkruar ajo në Facebook./teve1.info/