Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-zëvendësministrit të Jashtëm dhe ish-ambasadorit, Anton Berisha, i cili vdiq të enjten.
Osmani ka thënë se Berisha do të kujtohet për kontributin në përfaqësimin e Kosovës.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës dhe ish-ambasadorit, Anton Berisha. Ai do të mbahet mend për kontributin e tij në përfaqësimin e Kosovës dhe në shërbim të interesave të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëveprimtarëve!Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Anton Berishën”, thuhet në telegram ngushëllimin e Osmanit.
Berisha do të varroset të premten në Pejë.