Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, Orav tha se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.
Orav nënvizoi se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
“Nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm është marrë me dialogun, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive po e lehtëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër se çfarë duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë në një marrëveshje reciproke të cilat duhet të zbatohen. Është absolutisht e qartë”, thotë ai.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.
“Është e vështirë për mua, sepse dua të them se duhet të vazhdojmë, nëse do të jetë pak më ndryshe, apo një mënyre tjetër që nuk më takon mua ta them për momentin. Unë jam thjesht ambasador këtu në Kosovë dhe nuk mund të jap këtë lloj mendimi për momentin, por përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, thekson Orav.
Megjithatë, diplomati evropian konsideron se Kosova e ka detyrim ligjor të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Gjatë këtyre viteve, kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë, dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht ‘Pacta sunt servanda’ [marrëveshjet duhet të respektohen], kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, shton ai.
Duke përmendur Raportin e progresit për vendin, ambasadori Orav, thotë se Kosova ka pasur përparim të mirë në disa fusha.
Ai thekson funksionimin e mirë të liberalizimit të vizave, linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Bashkimin Evropian, agjendën e reformave dhe zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA.
“Mendoj se do të veçoja katër fusha, njëra është liberalizimi i vizave, më në fund u krye dhe u desh shumë kohë, por më në fund është aty dhe tani liberalizimi i vizave po funksionon shumë mirë. E dyta është ndjekja vullnetare nga Kosova e politikës, së jashtme dhe të sigurisë, së përbashkët të Bashkimit Evropian. Dua të them se mund të tingëllojë pak e mërzitshme, por për ta thënë më konkretisht, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian në sanksionet e saj kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse Kosova po e bën këtë në baza vullnetare. Pastaj e treta është agjenda e reformave, kur presidentja Ursula Von Der Layen ishte këtu ajo theksoi gjithashtu se sa mirë ka punuar Kosova me agjendën reformatore, dhe unë mund ta përsëris atë. Dhe fusha e katërt është CEFTA, sepse tani Kosova po merr pjesë në punën e CEFTA-s, janë zhbllokuar 12 marrëveshje të rëndësishme për rajonin dhe mendoj se ky është një hap shumë i mirë për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit drejt tregut të përbashkët”, thekson Orav.
Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Orav deklaron se Kosova ka bërë progres të kufizuar në reformën në drejtësi.
“Nuk ka ngecje në këtë raport, por në disa raste, po, kemi përmendur se është bërë vetëm progres i kufizuar, por është prapë progres, por ende pak gjëra duhen bërë, dhe këtu mund të përmend ndoshta reformën në drejtësi kur ende ka pak gjëra që duhen bërë. Dhe gjithashtu liria e medias, në përgjithësi ka liri të medias, mjedisi mediatik është shumë pluralist, por më pas ka pikëpyetje për pronësinë, transparencën dhe financimin e medias, ku ende ka shumë për të bërë”, përfundon Orav.
Sipas tij, situata në veri është e paqëndrueshme.
“Situata [në veri] është ende mjaft e paqëndrueshme dhe e brishtë. Ne po ndjekim nga afër gjithçka që po ndodh në veri, në zyrën tonë të BE-së dhe zyrën tonë të EULEX-it gjithashtu, po raportojmë përsëri në Bruksel dhe në kryeqytetet tona, dhe po komunikojmë nga afër në baza ditore edhe me zyrtarët e qeverisë. Kështu që përsëri, dua të them, shpresoj shumë që edhe për veriun të jemi shumë më pozitiv vitin e ardhshëm në raportin e vendit”, shton Orav.
Në anën tjetër, Orav e konsideron të domosdoshme koordinimin e qeverisë me aleatë sa i përket hapjes së Urës së Ibrit.
“Nuk dua të them kështu se kjo urë është problem për Bashkimin Evropian. Por, po, kjo urë është diçka që të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet në Kosovë po flasin për këtë urë. Dhe tani, shpresojmë shumë që nëse hapja e urës do të bëhet, atëherë kjo do të bëhet në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bashkimin Evropian, me komunitetin ndërkombëtar dhe më vjen mirë që i kemi ato angazhime nga qeveria”, deklaron Orav.
Sa i përket aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE, Orav thotë se deri tani s’ka një konsensus të vendeve anëtare të BE-së për dhënien e dritës së gjelbër ndaj Kosovës.
“Komisioni Evropian është i gatshëm të shtyp butonin për të filluar përgatitjen e pyetësorit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës menjëherë pasi të gjitha shtetet anëtare të kenë dhënë detyrën për ta bërë. Dhe për këtë na duhen sërish 27 shtete anëtare që thonë se, po, duhet të fillojmë ta bëjmë, por deri më tani nuk e kemi këtë konsensus”, përfundon ai./KSP