Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi, Ganimete Musliu, Avdullah Hoti, Arben Gashi dhe Armend Zemaj, janë gjashtë zyrtarët ndaj të cilëve dyshohet se planifikohej një gjë e tillë.
Kjo u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, institucion i cili tashmë ka nisur hetimet.
E për këtë, për herë të parë foli i pari i LDK-së. Lumir Abdixhiku thotë se nuk ndihet i rrezikuar.
“Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt”, ka thënë Abdixhiku.
Njësoj po shprehet edhe drejtuesi i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Unë mund të iu konfirmoj që jemi kontaktuar prej Policisë së Kosovës, na kanë njoftua që me të njëjtin rast tashmë të bërë publik nga deputetët e LDK-së kanë qenë të përfshirë emri im dhe emri i deputetes Musliu. Jemi njoftuar për masa që ata janë duke i marrë për sa i përket kësaj çështje dhe do të jemi në komunikim të mëtejmë. Nuk ka nevojë me i frikësua jemi në shtetin tonë, jemi në vendin tonë , me institucionet tona të sigurisë e vazhdojmë punës sikur deri më tash”, ka thënë Kransiqi.
Për dallim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, një reagim për këto kërcënime e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ftoi organet e rendit që të hetojnë në detaje këto kërcënime dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Këto nuk janë kërcënimet e vetme ndaj zyrtarëve të shtetit.
Atentate dhe vrasje ka pasur në shumë raste në Kosovë – sidomos pas përfundimit të luftës.
Kronika e gazetarit Arton Rama.







